Kryeministri Edi Rama foli për herë të parë publikisht për vendimin e Gjykatës së Apelit për heqjen e burgimit të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe dënimin e tij me 25 vite burg për vrasjen e 4 policëve.

Rama i konsideroi gjyqtarët si të korruptuar dhe njerëz të ligj, duke e konsideruar vendimin kriminal.

Rama: "Së pari, për sa i përket gjykimit të shkurtuar të atij vrasësit të katër policëve, nuk ka të bëjë me ligjin por me njerëz të ligj dhe të korruptuar, të cilët nuk janë vetëm ata por janë plot, për shkak se u ka ardhur fundi në sistemin e drejtësisë, për të vettingut po i bien me top. Jo vetëm po i bien me top por kryen një akt kriminal sepse faktikisht i rivranë 4 policët. Ne nuk do i ndahemi kësaj çështjeje dhe besoj se këtë vendim do e zhbëjmë. Besoj se këta gjykatës nuk do ia dalin të shpëtojnë kaq lehtë.

Mua më ka ardhur tmerrësisht keq për atë që ka ndodhur, por nga ana tjetër këto janë gjëra që nuk më çudisin sepse ne kemi ndërmarrë një reformë që është realisht një operacion i thellë për të pastruar kancerin nga gjithë organizmin e sistemit të drejtësisë. Ju keni parë se si vettingu po i largon një nga një gjithfarë hienash në atë sistem. Njerëzit po thonë pse kaq ishte reforma? I hoqët nga puna dhe kaq? Reforma në këtë fazë, duhet ndërtim i sistemit të ri. Sistemi i ri do të merret me këta dhe me këdo.

Ne jetojmë në një sistem ku kryeministri nuk fut njeri në burg, nuk është as prokuror dhe as gjykatës.

Sa herë njerëzit dëshpërohen, thonë ik mor se dhe ti njësoj si këta je, se nuk i fute në burg. Ne jetojmë në një sistem ku kryeministri nuk fut njeri në burg, nuk është as prokuror as gjykatës. Qeveria nuk fut njeri në burg, në burg ë fut drejtësia. Duhet një drejtësi e drejtë. Drejtësinë e drejtë nuk e kemi pasur gjithë këto vite sepse e kanë penguar gjykatës e prokurorë si këta dhe politikanë si ai zorzopi i Tiranës, që me paturpësinë më të madhe e bën vrasësin e 4 policëve si mikun tim. ndërkohë që raportet e ambasadës amerikane, që u bënë publike, është e shkruar se  vrasësi i 4 policëve është i lidhur me njeriun më të afërt të këtij zorzopit, Saliut. Ky është fakt. Historia është merre të vërtetën dhe ktheje përmbys dhe zien kazani çdo natë me gjithë çfarë shpifjesh dhe monstruozitetesh.

Kemi pas të tilla do të kemi në proces sepse nga njëra anë këta njerëz pa fe, kriminelë me kostum nuk ndalen para parasë se janë mësuar 30 vjet të bëjnë të njëjtën gjë, dhe në ndërkohë drejtësia e re kërkon kohën e vet. Po ecim me shpejtësi të madhe, por ka kohën e vet çdo gjë. Inati legjitim s’mund të kthehet në verbëri për të thënë pse nuk i fut ti në burg, jo qeveria ka për detyrë të krijojë reforma dhe sisteme të pavarur. Sistemi që kemi zgjedhur është sistemi i duhur, por për të ndërtuar atë sistem me njerëz të së drejtës nuk është aq kollaj.

Ne nuk mund të themi që e ka fajin demokracia pse këta budallenj, ia dalin të na bëjnë për budallenj deri në pikën që të shkelin mbi gjakun e policëve të vrarë. Sistemi ynë i zgjedhur është sistemi i duhur.

Flasin për kriminelë këta, ndërkohë që kriminelët janë më në cep se kurrë. Emrat që përmendin këta janë nëpër burgje, po kush i futi në burg? Flasin këta për kanabis, për krim dhe vrasje. Sot janë përgjysmuar vrasjet. Shqipëria sot është e pastër nga kanabisi.

Sot me dje nuk ka të krahasuar. Guxon Saliu t’i drejtojë gishtin Sandër Lleshit, për gjykatës që janë aty për shkak dhe si rezultat i mbështetjes së Saliut dhe politikës së Saliut. Për një drejtësi që është krokodil që jep shpirt por nuk heq dorë si rezultat i gjithë pellgut dhe pisllëkut që krijoi politika e Saliut që të hajë".

/Ora News.tv/