Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë ekskluzive për "Tonight Ilva Tare" në Ora News tha se brenda verës bëhen porositë për autobusët elektrikë.

Tare: Tirana "green city" projekti për autobusët elektrikë, vazhdon të jetë një projekt pavarësisht se është shumë i kushtueshëm?

Veliaj: Është shumë i kushtueshëm. Prandaj thashë, hyrja jonë në BE është jetike sepse na mundëson financime për gjëra që i ëndërrojmë por nuk i përballojmë dot. Është si në një shtëpi kur fëmija i kërkon prindërve celular më të ri, por familja nuk e përballon dot dhe sajohet me diçka më modeste, prandaj ne jemi në negociata me 4- 5 kompani e brenda verës do të bëhen porositë në masë, nga operatorët. Është kusht që ne të vazhdojmë marrëdhëniet.

Tare: Porosi në masë, një autobus..

Veliaj: Është i shtrenjtë, kushton shumë por do të gjejmë mënyra. Jemi në bisedime me BERZh dhe ata janë të gatshëm të kreditojnë kompanitë e guximshme që do të donin të futeshin në këtë treg.

Tare: A keni pritshmëri sa autobusë të tillë mund të ketë deri në fund të vitit?

Veliaj: Do të ketë deri në fund të vitit. Sa do të ketë dhe cili do të jetë regjimi.. Shumë prej tyre bëhen me porosi. Ne i kemi bërë disa teste shumë të rëndësishme në Tiranë dhe dimë saktësisht parametrat e baterive, po them që tani kemi hyrë në fazën finale të negociatave për lizingun e disa kompanive

Tare: Çfarë po ndodh me linjat e autobusëve, me modelin Eco Tiranës, menaxhim publik- privat

Veliaj: Paralelisht ne kemi filluar edhe me kompaninë tonë "Eco Tirana" që të bëjmë një plan biznesi sa do të na kushtonte të futeshim vetë në këtë fushë. Ajo që ka të mirë në sistemin aktual është se bashkia nuk i subvencionon. Do të thotë që ne nuk marrim para për subvencione. Në shumicën dërrmuese të qyteteve bashkia financon ndjeshëm në subvencione. Nëse do të subvenciononim do të binin ndjeshëm investimet e tjera. Në këtë fazë e kemi ruajtur si gur rezervë. Por po bëjmë përgatitjet, një biznes plan se sa do na kushtonte ta bënim vetë këtë kompani.



/Ora News.tv/