Veliaj: Të ulim përdorimin e makinës sepse është helmi numër 1 për fëmijët

Veliaj: Të ulim përdorimin e makinës sepse është helmi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje të gjithë prindërve dhe çifteve që të mbjellin një pemë në kryeqytet, për ta lënë pajë për gjeneratën e ardhshme. Duke cituar raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Veliaj nënvizoi faktin se fëmijët janë më të predispozuar nga sëmundjet që vijnë nga ndotja prej makinave.

“Jam i lumtur që si në çdo familje, ku ne i japim zë edhe atyre më të vegjëlve, edhe atyre që ndoshta nuk paguajnë taksa, nuk votojnë, por që janë e ardhmja e këtij qyteti dhe e çdo familjeje, fokusi ka qenë te fëmijët. Organizata Botërore e Shëndetësisë, sapo ka botuar një raport të frikshëm për fëmijët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në Europë dhe në botë. Fëmijët janë ata që janë më të predispozuar nga sëmundjet që vijne nga ndotja prej makinave. Nese një i rritur merr frymë 20 herë në minutë, një fëmijë merr 50-60 herë në minutë. Do të thotë se ata thithin me shume ajrin e ndotur të qyteteve tona nga mbipërdorimi i makinave. Këtu nuk digjet asnjë gëlqere, këtu nuk ka Fabrikë Çeliku, ndotja në Tiranë vjen kryesisht nga mbipërdorimi i makinave. Ndaj jam shumë i lumtur sot që pashë që shumica e njerëzve kishin ardhur në këmbë ose me biçikletë. Pse? Sepse kur gjërat janë afër, nuk ka asnjë arsye pse të shtojmë ndotjen. Kemi filluar fushatën tonë të mbjelljeve, ndaj dua t’ju ftoj të gjithëve, s’ka nevojë i pasur, i varfër, një pemë ose një filiz është aq i lirë sa mund ta përballojë kushdo, por është një pajë që ne ia lëmë një gjenerate tjetër”, deklaroi Veliaj.

Ai u bëri apel të gjithë qytetarëve që të ulin në maksimum përdorimin e automjeteve. Veliaj shprehu bindjen se sikurse ka ndodhur në dy vitet e shkuara, edhe kjo fushatë do të kthehet në histori suksesi  duke i lënë brezave të ardhshëm si pajë më shume gjelbërim. 

“Pemet jane oksigjen, gjelbërim, freski, bukuri, jane stoli që ne ia lëmë brezit të ri të djemve dhe të vajzave në këtë qytet. Ndaj dua t’i ftoj të gjithë banorët qe për distanca të vogla ta lënë makinën në shtëpi dhe të sigurohemi që ai raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të nxjerrim disa mësime këtu në Shqipëri, ta ulim përdorimin e makinës sepse është helmi numër 1 për fëmijët. Sot fëmijët duke qenë se janë edhe më afër tokës, aty ku lëshohen të gjithë gazrat nga marmita, janë 10-12 herë më të predispozuar të sëmuren sesa një i rritur që është më në lartësi ku gazrat shpërndahen. Për të gjitha këto arsye dua t’i ftoj çiftet e reja të mbjellin një pemë për celebrimin e tyre, familjet e reja të mbjellin një pemë për fëmijën, për vajzën ose djalin, nipat dhe mbesat për gjyshin, ose gjyshen. Nëse ne do ta kthejmë fushatën tonë të mbjelljeve në një histori suksesi siç bëmë vjet, do të kemi qytet më të pastër dhe minimalisht do t’ju themi fëmijëve – Ju lamë si pajë Tiranë më të gjelbëruar me më shumë oksigjen”, deklaroi kreu i bashkisë. 

EMISIONET