Veliaj: Të parët në rajon për biçikletat pa stacion

Veliaj: Të parët në rajon për biçikletat pa stacion

Pas revolucionit të gjelbër me mbjelljen e mbi 120 mijë pemëve, Tirana është gati të bëhet qyteti i parë në Ballkan që sjell sistemin e biçikletave pa stacion “Smart Bike Share”. Gjiganti “Mobike”, kompania që zbaton me sukses në shumë qytete të mëdha të botës, si Parisi apo Firence, sistemin e biçikletave pa stacion, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet, këtë javë do të nisë zyrtarisht edhe në Tiranë.

Në Ditën Botërore të Biçikletave, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i “Mobike”, Massimiliano Rubin, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit që sjell në Tiranë 4 mijë biçikleta “Mobike”. Bashkë me aktivistët e EcoVolis, ata testuan mënyrën e funksionimit të biçikletave të para të ardhura në kryeqytet, ndërsa Veliaj lajmëroi se nga java tjetër në rrugët e Tiranës do të shohim me qindra biçikleta ngjyrë portokalli “Mobike”.

“Mobike është një kompani e cila në Shqipëri do të operojë si një bashkëpunim kinezo-italian. E pamë herën e fundit që ishim në Bashkinë e Firences, ndaj pa humbur kohë, duke parë se edhe shumë bashki të tjera në Holandë kanë futur konceptin e Mobike, jemi gati që javën tjetër të sjellim qindra biçikleta në Tiranë, për ta bërë masive përdorimin e biçikletës në qytetin tonë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se ardhja e biçikletave do të sjellë një ndryshim të vërtetë në Tiranë. Kjo e rendit Tiranën si qyteti i parë në Ballkan që fut një koncept të tillë të lëvizjes së qytetarëve. “Siç Tirana sjell gjithmonë risi dhe ka qenë e para në nisma të tilla, me ardhjen e Mobike bëhemi qyteti i parë në Ballkan që fusim sistemin e biçikletave pa stacion. Pra, secili me celularin e vet, shkarkon aplikacionin dhe duke skanuar barkodin e biçikletës, mund ta përdorë atë. Gjatë kësaj jave do të bëjmë disa testime, kurse nisjen zyrtare e kemi në datën 8 Qershor. Për të gjithë ata që kanë pritur që teknologjia dhe mobiliteti të transfomojnë Tiranën, ka ardhur dita. Ky është momenti ynë për të transformuar Tiranën me një celular dhe një biçikletë”, theksoi Veliaj.

 

Aktivisti Ened Mato do të ndjekë ecurinë e sistemit “Bike Share” në Tiranë, tashmë si kryebashkiak i Biçikletave. Gjithashtu, do të mbikëqyrë edhe zgjerimin e rrjetit të korsive të dedikuara për çiklistët, si dhe promovimin e biçikletës tek të rinjtë, si mjeti më i mirë për të lëvizur në një qytet si Tirana.

“Lajmi tjetër i mirë është se Tirana do të ketë një kryetar bashkie vetëm për  biçikletat dhe ky është Ened Mato: një aktivist, i cili gjithsesi e bën këtë punë, por tani besoj se ka ardhur koha të kemi dikë me kohë të plotë që të kujdeset jo vetëm për përdorimin e biçikletave, por edhe për korsitë, për mësimin e biçikletave në shkolla, kopshte, e mbi të gjitha të promovojë kulturën e biçikletës. Qyteti ynë ka vetëm një shpëtim: duhet të përqafojmë biçikletën, nuk mund të jemi robër të makinës. Ndaj, dua t’i uroj Enedit mirë se erdhe në skuadër dhe shumë suksese në këtë sfidë të jashtëzakonshme, të cilën mund ta fitojmë të gjithë bashkë”, tha Veliaj.

EMISIONET