Veliaj: Projekti i Teatrit të ri u sabotua për 40 ditë

Veliaj: Projekti i Teatrit të ri u sabotua për 40 ditë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë takimit me të rinjtë e FRESSH-it në Jalë hodhi akuza ndaj deputetëve të opozitës që, sipas tij tentuan ta sabotonin me çdo kusht ndërtimin e Teatrit të ri. Por pavarësisht vështirësive dhe vonesave Veliaj garantoi të rinjtë socialistë që projekti për Teatrin do të realizohet dhe nuk ka kthim pas.

“Në fillim patëm një histeri kolektive, kurse aktorët që punojnë aty ishin të shqetësuar. Presidenti i Republikës bëri një thirrje dhe tha: ‘Kryetari i Bashkisë të gjejë gjuhën me aktorët, që ne të ecim përpara’! Bëmë një takim me aktorët, një me urbanistët, një me arkitektët, një me të gjithë së bashku. U treguam projektin, në fund aktorët u bindën; pra ata që ishin grupi legjitim, që ka vetë interes, u bind. Pasi u bindën aktorët, politika e mbrapshtë, që nuk do që t’i shkojë asgjë mbarë Shqipërisë, tha: ‘Ou, na u prish plani, tani o burra ta marrim vetë kontrollin e kësaj dhe me ç’na ka ngelur nga ata të lodrave, ç’a kemi portale, hajde ta sabotojmë me çdo kusht! Projekti u sabotua vetëm për 40 ditë. Në shtator do të futemi në fazën e tretë, ku politika e mbrapshtë do të mundet sërish me votat që populli shqiptar i ka dhënë Tiranës dhe Shqipërisë për ndryshim”, tha Veliaj.

Ai renditi edhe një sërë nismash të mëparshme, të cilat në fillim hasën rezistencë, por në përfundim rezultuan të suksesshme dhe u vlerësuan. Veliaj theksoi se përkundër shumë politikanëve që me sjelljet e tyre ushqejnë sherrin, detyra jonë është të ushqejmë punën, dashurinë për vendin dhe për njëri-tjetrin. 

"Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se pavarësisht detyrave tona në FRESSH, në PS, në qeveri, në bashki, misioni është një: Ta bëjmë Tiranën, ta bëjmë Shqipërinë një vend dinjitoz evropian. Suksesi vjen pak a shumë me këtë formulë: Së pari, me dikë që vendos që do bëjë diçka, që do ndryshojë realitetin ku jeton dhe realitetin mund ta ndryshosh duke çuar njeriun në hënë ose duke u bërë këngëtari më i famshëm, ose duke qenë pjesë e një force politike që merr vendimet për ndryshimin e realitetit. E dyta, duhet të punojmë, nuk mjafton vetëm dëshira. Është puna dhe përpjekja ajo që bën diferencën", tha Veliaj.

Veliaj foli edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore duke thënë se PS do të hyjë në garë për të fituar dhe për treguar kryeqytetasve se çfarë mund të bëhet më shumë nga sa është bërë deri më sot.

EMISIONET