Veliaj: Marrja me sport investim i mirë. Mbyllja e basteve, vendimi i duhur

Veliaj: Marrja me sport investim i mirë. Mbyllja e basteve, vendimi i duhur

Shkolla "Kongresi i Manastirit" i është bashkuar projektit për ti mbajtur ambientet sportive të hapura për banorët në zonën e Kombinatit në Tiranë.

Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, duke vlerësuar punimet në këtë institucion arsimor ka theksuar se në këtë mënyrë prindërit kanë mundësi që të largojnë fëmijët nga baret dhe lotot dhe ti angazhojnë në aktivitete sportive.

Veliaj: Si prindër, të gjithë e dimë se fëmijën nuk mjafton vetëm ta ushqesh, njerëzit nuk jetojnë vetëm me bukë, por jetojnë edhe me sport, me muzikë, me libra, me kinema, teatër, shëtitje në natyrë. Rëndësi ka që t’i japim frymën gjithë Tiranës që të merret dhe të organizojë aktivitete sportive. Pavarësisht nëse bëhemi apo jo anëtarë të skuadrave kombëtare, besoj se jemi të gjithë anëtarë të një skuadre, që është skuadra e Shqipërisë, skuadra e Tiranës, dhe pavarësisht ku do shkëlqeni, ose në sport, ose si inxhinierë, ose si doktorë, politikanë, deputetë, ose si një aktivist i këtij komuniteti, jam i bindur se mësimet që marrim nga sporti në 62 palestrat tona, janë mësime që na duhen gjithë jetën.

Sipas Veliaj, mbyllja e lojërave të fatit vendimi më i mirë edhe për qytetarët e Tiranës.

Veliaj: Kemi bërë një llogari: në pikat e basteve harxhohen më shumë para se sa i gjithë buxheti i bashkisë. Duke mbyllur pikat e basteve paratë që ngelen shkojnë për familjen. Kështu, nesër regjistron fëmijën në një kurs sportiv, në piano apo violinë, e çon në një aktivitet, ekskursion, i blen një biletë për kinema, për teatër, i bën një abonim në bibliotekë, i blen rroba të reja sportive. Me mbylljen e pikave të basteve, çdo baba që është liruar nga ato dy orë ndeshje, ka mundësi që të sjellë fëmijën në një aktivitet sportiv, që mund të bëhet kampion për Tiranën tonë.

Veliaj edhe një herë ka theksuar se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë investimet për ambientet sportive si dhe në institucionet e arsimit.

EMISIONET