Kthimi i ligjit për Teatrin nga Presidenti Ilir Meta e ka zhgënjyer kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.Në një deklaratë të gjatë për mediat, Veliaj thotë se shpresonte se e kishim tejkaluar kohën e sabotimeve të qytetit dhe se ishte krijuar pjekuria për të dalë mbi partitë e mbi familjet politike në vend.Duke u kthyer në retrospektivë, Veliaj thotë se ky nuk është rasti i parë që një President bëhet palë me partitë politike për të kundërshtuar projektet. Për këtë i referohet kohës së Presidentit Bujar Nishani me këndin e lojrave.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar në lidhje me vendimin e Presidentit për kthimin e ligjit të Teatrit të ri Kombëtar.

Sipas Veliajt, kthimi i ligjit që do t'i jepte Tiranës tonë një Teatër të Ri, modern, i projektuar nga një prej arkitektëve më në zë të gjeneratës sonë, ishte një zhgënjim.

Veliaj: "Jo sepse Presidentët, në të kaluarën, nuk janë bërë palë me partitë politike për të kundërshtuar projekte si ai i Këndit të Lodrave te Liqeni, por sepse mendova se pas 3 vitesh progres në qytetin tonë, me një Shesh të Ri, një Bulevard të Ri, një Pazar të Ri e një Unazë të Re, e kishim tejkaluar kohën e sabotimeve të qytetit dhe se ishte krijuar pjekuria për të dalë mbi partitë e mbi familjet politike në vend".

Veliaj shkruan në reagimin e tij se teksa pritëm 40 vjet për një Teatër të ri, do presim edhe 40 ditë që Parlamenti ta rivotojë në shtator e t'i hapë rrugë projektit modern - në tokën e vet e me teknologjinë më të fundit.

Sipas kreut të Bashkisë, e mira, e bukura dhe e drejta, herët a vonë, triumfojnë; është vetëm çështje kohe!

Veliaj: Koha e humbur është e vetmja dhimbje që kemi në këtë banalitet politik sepse për ne çdo minutë vlen shumë, ndërsa për ata që kanë vrarë dekada të tëra kohë shqiptare, koha është vetëm një mjet për të na penguar.

Sidoqoftë, ne nuk do t’i humbasim këto dyzetë ditë, por do bashkëpunojmë me komunitetin teatror që të jemi gati sapo të kalojë ligji.

Shumë faleminderit të gjithë përfaqësuesve të denjë të atij komuniteti, për peticionin dërguar Presidentit dhe të gjitha autoriteteve e partive parlamentare. Teatri i Ri Kombëtar tanimë ka nisur të marrë jetë dhe së bashku ne do ta ndërtojmë për nderin e një kombi të tërë. Për kënaqësinë e një populli të tërë. Për dinjitetin e një komuniteti të tërë. Për Shqipërinë dhe Tiranën që duam!


Deklarata e plotë

Kthimi nga Presidenti i Ligjit që do t'i jepte Tiranës tonë një Teatër të Ri, modern, i projektuar nga një prej arkitektëve më në zë të gjeneratës sonë, ishte një zhgënji.! Jo sepse Presidentët, në të kaluarën, nuk janë bërë palë me partitë politike për të kundërshtuar projekte si ai i Këndit të Lodrave te Liqeni, por sepse mendova se pas 3 vitesh progres në qytetin tonë, me një Shesh të Ri, një Bulevard të Ri, një Pazar të Ri e një Unazë të Re, e kishim tejkaluar kohën e sabotimeve të qytetit dhe se ishte krijuar pjekuria për të dalë mbi partitë e mbi familjet politike në vend.

Teatri i sotëm në kryeqytet, me kryetarë bashkish nga Kamza e Shkodra, që kanë probleme serioze me funksionimin qyteteve të tyre, mund të na ishte kursyer. I ngjan protestuesve të importuar nga ish presidenti për Këndin e Lodrave. Të gjithë e dimë si përfundoi ajo betejë: Presidenti u diskreditua në histori si një noter partiak. Kurse, ultimatumi prej kalamani të SHQUP-it nga ish gjumashi i bashkisë së Tiranës, nuk do kalonte dot as një audicion për teatër kukullash. Skenar i qepur keq në parapritje të refuzimit të ligjit, që fyen inteligjencën e kujtdo që i thotë vetes qytetar.

Por, vendimi i sotëm solli një dobi sepse ndau qartazi palët në Tiranë. Ata që shkatërruan Zogun e Zi apo Sheshin Skënderbej para një dekade, janë po ata sot. Të gjithë bashkë kundër zhvillimit. Lajmi i mirë është se, pala tjetër - shumica e arsyeshme - është sot më kompakte dhe më e bashkuar se kurrë. Aktorë, regjisorë, qytetarë e progresistë kanë parë se veç me punë, pasion e përkushtim ne mund ta ndryshojmë Shqipërinë e ta kthejmë Tiranën në stolinë moderne të kombit tonë.

Teksa pritëm 40 vjet për një Teatër të ri, do presim edhe 40 ditë që Parlamenti ta rivotojë në shtator e t'i hapë rrugë projektit modern - në tokën e vet e me teknologjinë më të fundit. E mira, e bukura dhe e drejta, herët a vonë, triumfojnë; është vetëm çështje kohe! Koha humbur është e vetmja dhimbje që kemi në këtë banalitet politik sepse për ne çdo minutë vlen shumë, ndërsa për ata që kanë vrarë dekada të tëra kohë shqiptare, koha është vetëm një mjet për të na penguar.

Sidoqoftë, ne nuk do t'i humbasim këto dyzetë ditë, por do bashkëpunojmë me komunitetin teatror që të jemi gati sapo të kalojë ligji. Shumë faleminderit të gjithë përfaqësuesve të denjë të atij komuniteti, për peticionin dërguar Presidentit dhe të gjitha autoriteteve e partive parlamentare. Teatri i Ri Kombëtar tanimë ka nisur të marrë jetë dhe së bashku ne do ta ndërtojmë për nderin e një kombi të tërë. Për kënaqësinë e një populli të tërë. Për dinjitetin e një komuniteti të tërë. Për Shqipërinë dhe Tiranën që duam! FORCA! #BASHKE

/Ora News.tv/