Veliaj i jep Ed Construction 16 tendera, 74 miliardë lekë në 4 vite

Veliaj i jep Ed Construction 16 tendera, 74 miliardë lekë në 4

Në katër vitet e fundit tenderat ku në garë ka mbetur vetëm fituesi dhe të tjerët janë skualifikuar janë rritur. Në Tiranë Ed Konstruksion, në shumë raste me bashkim operatorësh, ka fituar 36 miliardë lekë për 16 marrëveshje. Por në 9 prej tyre rezulton të mos ketë patur garë.

Kontrolli i Shtetit në raportin e fundit të paraqitur në parlament ka ngritur shqetësimin për numrin e lartë të tenderave që kanë vetëm një kompani të kualifikuar në garë dhe detyrimisht edhe fituese. Një ndër to renditet dhe Ed Konstruksion e cila përgjatë katër viteve të fundit ka fituar përmes tenderave dhe koncesioneve rreth 74 miliardë lekë fonde.

Në disa raste e vetme, në disa të tjera në bashkëpunim, vetëm në bashkinë e Tiranës ka fituar një kontrata me vlerë prej 36 miliardë lekësh.

Kryebashkiaku Veliaj i ka besuar Ed Konstruksion 16 tendera dhe një koncesion “Për Përmirësimin e Infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës”.

Në 13 raste rezulton të jetë në bashkim operatorësh ndërsa 9 tendera janë skualifikuar të gjitha kompanitë pjesëmarrëse veç fituesit.

Në institucionet e tjera, sipas të dhënave të Buletinit të Prokurimeve publike rezulton fituese në 34 raste përmes bashkimit të operatorëve.

Po në këtë formulë, me 3 sipërmarje të tjera ka dalë fituese dhe për rikonceptimin e kopshtit zoologjik në kryeqytet me një fond prej 7 miliard lekësh. Edhe në këtë rast nga 3 kompani pjesëmarrëse 2 u skualifikuan, njëra pasi nuk ka paraqitur ofertë ekonomike, ndërsa tjetra sepse nuk plotëson disa kritere.

Sipas të dhënave të APP në 25 raste të tjera Ed Konstruksion rezulton kompania e vetme e kualifikuar. Prej tyre në 9 raste ka marrë pjesë e vetme dhe në 16 raste me bashkim operatorësh.

Por nuk kanë munguar as rastet ku në garë është futur vetëm kompania fituese. Në vitin 2016 për “Tirana Parking”, bashkimi i operatorëve Advanced Sh.P.K, Adi Profesional Sh.P.K, dhe Ed Konstruksion rezulton të jetë fitues dhe pjesëmarrës i vetëm.

Kompania Ed Konstruksion administrohet nga Alfred Ibrahimi dhe është themeluar në vitin 2005 me një kapital themeltar prej 15.5 milionë lekësh.

Ndër kompanitë me të cilat rezulton të jetë në bashkim operatorësh në pjesëmarrjet në tendera vihet re Fusha, 4 A-M, G.P.G, A&E Engineering, SON Engineering & Construction, të njohura dhe këto për numrin e lartë të tenderave të fituar.

EMISIONET