Veliaj: Heqim barrierat ligjore për ata që do rindërtojnë banesat e dëmtuara

Veliaj: Heqim barrierat ligjore për ata që do rindërtojnë

Krahas ndihmës me ushqime, veshje dhe fondit prej 1 milion dollarësh që do të vërë në dispozicion të familjeve të prekura nga tërmeti i së shtunës, Bashkia e Tiranës propozon edhe heqjen e barrierave ligjore për lejet e ndërtimit dhe rikonstruksionit të të gjitha ndërtesave të dëmtuara.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe zëvendëskryeministri Erion Braçe ndoqën nga afër situatën në terren në zonën e Kasharit, ku është raportuar për disa familje të prekura nga lëkundjet e fuqishme të tërmetit.

Një prej tyre është edhe familja e Halil Sulës, shtëpia e të cilit ka pësuar disa plasaritje të rikuperueshme.

Veliaj: Si kjo shtëpi dhe si kjo situatë kemi dhjetra në Kashar, në zonat periferike të Tiranës. Ndërkohë, në ish-komunat janë ngritur shtabet që po bëjnë verifikimet. Duam të bëjmë shpejt reklamimin e dëmit. Në bashkëpunim me qeverinë do të thjeshtojmë procedurat për lejet e ndërtimit, të heqim taksat për ata që kanë shtëpi private dhe e ndërtojnë vetë, të themi që Qeveria dhe Bashkia i bëjnë procedurat komplet minimale, vëmë një afat kohor dhe pastaj pjesën e donacionit mund ta bëjmë në natyrë, pra llaç, tulla, beton dhe e gjithë infrastruktura që duhet për të pasur një shtëpi solide, që i mbijeton tërmetit të radhës.

Zëvendëskryeministri, Erion Braçe, i bëri thirrje të gjithë banorëve që kanë pësuar dëmtime apo kanë probleme të shkaktuara nga tërmeti, të paraqiten sa më parë pranë njësive administrative apo institucioneve të tjera të emergjencës, në mënyrë që strukturat shtetërore t’i vijnë sa më parë në ndihmë.

Ai gjithashtu përkrahu propozimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për lehtësimin e procedurave ligjore dhe shmangien nga taksat e të gjithë atyre që do të rindërtojnë apo rikonstruktojnë banesat e tyre.

EMISIONET