Veliaj heq përgjegjësinë për shembjen e teatrit: Vendimin e mori Këshilli Bashkiak

Pas një nate të gjatë me përplasje me policinë, dhe me arrestime në komisariatet e policisë, Erion Veliaj ka dalë para medias duke thënë se teatri tashmë nuk ekziston më dhe se vendimi për shembjen e tij është marrë nga këshilli bashkiak. Duke hequr përgjegjësinë nga vetja, Veliaj është rikthyer tek kërkesa për bashkëpunim e për dialog teksa ka ka kërkuar që kundërshtarët e teatrit të ri të cilët humbën kauzën më shumë se dy vjeçare, ta hedhin pas krahëve këtë dështim.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shfaqur në media pasi IKMT përfundoi së rrashfuari godinën e Teatrit Kombëtar.

Ndërsa në bulevard policia vazhdonte shoqërimin e protestuesve, kryebashkiaku i Tiranës është përpjekur që aktin që ishte ende duke ndodhur, ta paraqesë si një ngjarje të së shkuarës, dhe jo vetëm kaq, por artistëve që përfunduan në komisariat në orën 4 të mëngjesit, u shtriu dorën e bashkëpunimit

Veliaj: Teatri i vjetër iku, tani përgatitemi për teatrin e ri. Në momentin që ky vendim është marrë, ka ardhur koha që të shohim përtej kësaj dite. Por teksa përgatitemi për teatrin e ri, duhet të nxjerrim disa mësime. Ndaj, dua t’ia shtrij dorën kujtdo, që për një arsye apo për një tjetër, sot zemrën e ka të thyer dhe ndihet i trishtuar, se një betejë që i mori kohë, energji, doli pa fryt. Në momentin që ky vendim është marrë, ka ardhur koha që të shohim përtej kësaj dite.

Duke iu lutur publikut që ta besojë në ato që thotë, Veliaj u ofron edhe përqafime artistëve, politikanëve dhe qytetarëve që rezistuan për më shumë se dy vjet dhe që u përleshën në policinë në mbrojtje të teatrit kombëtar.

Veliaj: Ka ardhur koha që të përqafojmë njëri-tjetrin, të mos lëmë partitë të na përçajnë, të mos lëmë partitë të sulin shqiptar me shqiptar, vëllezër dhe motra kundër njëri-tjetrit. Ky nuk është momenti për t’u përçarë, por për t’u bashkuar! Besomëni! Ndaj, vëllezër dhe motra, çfarë iku, iku. Ka ardhur koha të bëhemi bashkë.

Veliaj vazhdon më tej në qëndrimin e tij duke mbështetur shembjen e teatrit edhe në faktin se ndërtesa sipas tij e amortizuar, nuk u rezistoi as fadromave

Veliaj: Që në 2018 ishte i rrezikuar, dhe siç u pa sot pas prishjes, ishte i gjithë populit, tallash, teneqe.

Megjithëse renditi një listë argumentesh që sipas tij mbështesin shembjen e teatrit, veliaj ia faturon përgjegjësinë Këshillit Bashkiak dhe pranon se shembja e teatrit ka qenë një vendim për të cilin shpreson që historia të mos e gjykojë.

Veliaj: Ju dua shumë! Ndonjëherë kjo detyrë kërkon të marrësh vendime shumë të vështira. Ndoshta, vendimi më i vështirë i jetës time për të zbatuar vendimin në fakt të Këshillit Bashkiak, por ndonjëherë gjëja e drejtë do të gjykohet me gjakftohtësi më vonë.

EMISIONET