Veliaj dhe aktorët e Portokallisë shërbejnë drekën e Pashkës për familjet rome në Shkozë

Veliaj dhe aktorët e Portokallisë shërbejnë drekën e

Bashkia e Tiranës zgjodhi ta kalojë festën e Pashkës së besimtarëve ortodoksë duke i shërbyer njerëzve në nevojë. Mensat sociale të Bashkisë së Tiranës ofruan një drekë të veçantë për të gjithë të moshuarit, të pamundurit dhe grupet e ndryshme sociale, duke krijuar edhe për ta një mjedis festiv. Kryebashkiaku Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga aktorët e dashur për publikun, Florian Binaj dhe Irgen Çela, shërbyen drekën për familjet rome në Shkozë. Ai u shpreh se çaste të tilla duhet të shërbejnë për këdo për të reflektuar dhe rilindur shpresën, por edhe për të qenë më pranë të pamundurve dhe atyre që kanë nevojë për ndihmën e shoqërisë.

“Historia na ka mësuar se kur punojmë bashkë, kur ka bashkëpunim, kur fokusohemi te puna, kur s’merremi me llafe, kur të gjithë japin nga një dorë, qyteti bëhet më i mirë. Vërtet qyteti ka 1 milion banorë, ka 1 milion probleme, por sikur të gjithë të japin nga një dorë, mund t’i zgjidhim, qoftë edhe këto të voglat si ushqimi e mbështetja sociale apo infrastruktura si banesat sociale dhe shtëpitë e komunitetit rom. Ju uroj mbarësi dhe siç e kemi pasur mendjen te puna dhe te bashkëpunimi, të vazhdojmë që ky komunitet të jetë realisht një histori suksesi”, tha Veliaj.

Ai falenderoi dy aktorët e njohur që e ndanë këtë festë me familjet rome, ndërsa theksoi se që të jesh një artist i mirë duhet të jesh dhe një qytetar i mirë. “Ndonjëherë nuk mjafton me qenë i famshëm po s’ishe njeri i mirë, po s’ishe solidar, po nuk mbështete njerëzit në nevojë. Këta dy djem kanë një zemër jashtëzakonisht të madhe. Unë doja shumë që të vinin edhe të shërbenin sot, edhe t’ju uronin Pashkët, por edhe të shikonin se si në cepa të ndryshëm të Tiranës kemi kaq solidaritet dhe kaq shumë njerëz që bëhen bashkë dhe kalojnë kohë si komunitet”, u shpreh Veliaj.

Vizioni dhe puna e përditshme e Bashkisë së Tiranës, por edhe e gjithë atyre që i janë bashkuar asaj në këtë mision, ka bërë të mundur që situata e komunitetit rom dhe atij egjiptian të ndryshojë. Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të jetë pranë të varfërve, qoftë duke mbështetur mensat sociale, ashtu edhe duke hapur strehëza të tjera, ku gjithkush që ka humbur shpresën të mund të gjejë një vend ku të ushqehet dhe strehohet.

“Përveç kësaj mense sociale këtu, kemi edhe ato në Kombinat, në Misto Mame, në Laprakë, hapëm edhe një të re te Bregu i Lumit. Fatmirësisht, kishat, xhamijat dhe OJF-të e ndryshme po na ndihmojnë, sepse një qytet që ka 1 milion banorë dhe prodhon gjysmën e ekonomisë së vendit, duhet të prodhojë edhe gjysmën e zemërgjerësisë dhe bujarisë. Më vjen mirë që përtej nesh që e kemi detyrë e mision, kur na bashkohen edhe shokë të mirë si Flori me Irgenin dhe shumë të tjerë që japin në mënyrë vullnetare, pa pagesë, duke hequr ditën e tyre të pushimit, kjo na mbush me shumë optimizëm dhe kurajë”, u shpreh ai.

Aktori i humorit, Florjan Binaj u shpreh i surprizuar për kushtet në të cilat jetojnë sot anëtarët e komunitetit rom në Shkozë dhe theksoi se t’i shërbesh më të pamundurve është detyrim i gjithë shoqërisë. “Kur kam qenë i vogël e kam pasur shtëpinë tek Bregu i Lumit në Allias, edhe kam parë shumë pjesëtarë të komunitetit rom që jetonin në vështirësi aty. Fakti që mbas kaq shumë vitesh i shoh të akomoduar kaq mirë, të jetojnë si të gjithë qytetarët e tjerë, është një gjë shumë e bukur, ashtu siç është shumë e bukur fakti që shumë njerëz na shohin si ata që jetojnë vetëm në televizor, me gjëra të mira e të tjera me rradhë, vijmë bëjmë këtë gjë sot për ju sepse nuk ka gjë më të mirë se sa të jesh i përulur karshi gjithë qytetarëve të këtij qyteti”, tha Binaj.

Edhe aktori Irgen Çela u shpreh i lumtur që në këtë ditë feste kishte zgjedhur të shërbente në mensë sociale për shtresat në nevojë. “Më bëhet shumë qejfi që jam sot pranë jush, duke qenë se është edhe ditë feste. Uroj që të jeni të gjithë të bashkuar sepse dashamirësia kundrejt njëri-tjetrit do ju shtyjë të ndihmoni njëri-tjetrin dhe të ecni përpara”, u shpreh ai.

EMISIONET