Veliaj: Axhendën e Presidentit e paracakton Xhelal Mziu, dekonspiroi datën e zgjedhjeve

Veliaj: Axhendën e Presidentit e paracakton Xhelal Mziu, dekonspiroi

Nga Njësia 7 ku vijoi fushatën e tij elektorale, kandidati i koalicionit të majtë, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Erion Veliaj e ka konsideruar debatin politik dhe zhdekretimin e datës së zgjedhjeve si një lojë të organizuar nga opozita.

Për këtë ai iu referua pikërisht paracaktimit të datës së re të zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës dhe të bërë publike nga kryetari aktual i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Sipas Veliajt zbulimi i datës së re të zgjedhjeve nga kryebashkiaku i Kamzës, ndërkohë që Presidenti i Republikës po bën konsultime me disa nga partitë e vogla dhe pa asnjë peshë politike për përcaktimin e një date të re, tregon më së miri se axhenda e Kreut të Shtetit përcaktohet nga opozita.  

“Pjesa që më bëri për të qeshur është që Kamza thoshte është aq e suksesshme dhe zgjedhjet për inatin tuaj nuk do jenë në datën 30 qershor, zgjedhjet tha do jenë në datë 20 tetor. E kisha dëgjuar si thashethem, nga ata njerëz që rrinë vërdallë, Presidencës  e SHQUP, por ta shihja të shkruar që axhendën e Presidentit të Republikës e paracakton Xhelal Mziu, ky është fundi i botës zyrtarisht. Kur mendon që budallallëku nuk ka fund, kur mendon që çdo idiotësi ka një limit, kur mendon që çudia e ka kap ekstremin e vet, jetojmë në Tiranë çdo gjë mund të ndodhë, ndodh çudia e gjithë çudirave. Xhelal sapo dekonspirove presidentin. U munduan ata të shkretët të bëjnë sikur konsultojnë partitë, edhe çfarë partish, partinë e Koços, që s’ka as deputet dhe as këshilltar, parti vulë humbura, pemëthyera që nuk kanë asnjë mandat të fituar me logon e tyre. Po konsultohen?! Dhe Xhelali ngaqë si rrihet derisa të bëjë budallallëkun e radhës sapo e dekonspiroi që ata e paskan caktuar edhe datën dhe gjithë kjo qenka një lojë”, tha Veliaj në fjalën e tij.

Por ai theksoi se socialistët dhe gjithë qytetarët e ndershëm nuk do ta lejojnë kurrsesi që një grupim i caktuar politikë dhe zgjatime të tij në institucionet e vendit të mund të bëjnë lojëra me fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

EMISIONET