Veliaj: Aksion i madh pastrimi para fillimit të vitit të ri shkollor

Veliaj: Aksion i madh pastrimi para fillimit të vitit të ri shkollor

Dy ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, bashkia e Tiranës do të zhvillojë aksionin për pastrimin e qytetit, kryesisht pranë shkollave.

Në takimin me administratorët e njësive dhe drejtuesit e institucioneve në varësi të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nismës për një mjedis më të pastër.

Veliaj: “Të shtunën e fundit të verës, që është data 14 shtator, do të kemi një ditë aksioni “Pastro Tiranën në një ditë”. E kemi kthyer në zakon, para se të fillojë viti i ri shkollor, sidomos në të gjitha terrenet rreth e përqark shkollave, kopshteve, çerdheve, të bëjmë një aksion pastrimi”.

Kryebashkiaku, Erion Veliaj tha se ky vit i ri shkollor e gjen kryeqytetin me një numër të konsiderueshëm shkollash të rikonstruktuara.

Veliaj: I falenderoj të gjithë ata që një pjesë të madhe të verës e kaluan duke punuar për përgatitjen e vitit të ri shkollor. Kemi kryer ndërhyrje të paimagjinueshme në numrin më të madh të shkollave, përpos ndërhyrjeve kapitale nga stafi i punëve publike. Shkolla e re që hapet këtë vit është “Servete Maçi” në Njësinë 9. Synojmë që ta bëjmë “Servete Maçin” një shkollë 24/7; do të thotë që salla e koncerteve, palestra, të jenë të hapura për komunitetin. Shkolla “Sabaudin Gabrani” tek Njësia 7 dhe “Konferenca e Pezës”, i janë nënshtruar rikonstruksionit të plotë. Po ashtu edhe shkollat “Gustav Majer” dhe “Mihal Grameno”

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje të gjithë prindërve të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën më të afërt, ndërsa tha se një vëmendje do i kushtohet edhe procesit të shpërndarjes së librave falas.

Me fillimin e vitit të ri shkollor, rikthehet edhe regjimi i qarkullimit për mjetet që kryejnë furnizimin e dyqaneve në mëngjes. Kjo masë e Bashkisë së Tiranës ka për qëllim të ulë fluksin e trafikut në orët kur nxënësit e Tiranës shkojnë në shkollë, si dhe synon që fëmijët të mos humbin orën e parë të mësimit.

Një tjetër porosi e kryebashkiakut Veliaj për administratorët lidhet edhe me kremtimin e 75-vjetorit të çlirimit të vendit. Për këtë vit jubilar, Bashkia e Tiranës do të organizojë një sërë aktivitetesh për përkujtimin e kësaj date të shënuar dhe të ndritur në historinë e vendit tonë.

EMISIONET