Vdes bosi i Cosa Nostras, Toto Riina, frikësoi mbarë botën

Vdes bosi i Cosa Nostras, Toto Riina, frikësoi mbarë botën

Bosi famëkeq i Mafias Siçiliane Salvatore ‘Toto’ Riina ka ndërruar jetë në orët e para të së premtes, pas betejës me kancerin në veshka, problemeve me zemrën dhe sëmundjes së Parkinsonit. 87-vjeçari ishte vendosur nën koma mjekësore pasi shëndeti i tij u përkeqësua pas dy operacioneve.

Riina lindi më 1930 në Corleone, Siçili dhe u bë pjesë e botës së mafias që në moshën 19 vjeçare. Për thuajse 20 vite udhëhoqi grupin e krimit të organizuar Cosa Nostra. 

I njohur ndryshe si “Bisha” për shkak të reputacionit të tij si vrasës, Riina u burgos në vitin 1993, për të kryer 26 dënime të përjetshme. Besohet që ish-bosi famëkeq i mafias të ketë urdhëruar mbi 150 vrasje përpara se të arrestohej. 

Një vit përpara arrestimit, Riina urdhëroi vrasjen e dy gjyqtarëve anti-mafia, në kuadër të “luftës kundër shtetit”. Ndërkohë, burgosja e tij u shoqërua nga një seri bombardimesh në qytete kryesore të Italisë të organizuara nga bashkëpunëtorët e tij.

Ai po vuante 26 dënime të përjetshme për dhjetëra vrasje dhe masakra, mes të cilave edhe atentatet e ’92-shit, ku humbën jetën Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Riina, i cili festoi ditëlindjen e tij të 87 të enjten, kaloi thuajse një çerek shekulli duke shmangur drejtësinë, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në ishullin e Siçilisë. Në vitin 2009, ai theu kodin e ‘omerta-s’, një betim heshtjeje, duke pranuar lidhjet e tij me mafian. Më herët gjatë këtij viti, ish-gangsteri deklaroi se nuk pendohej për asnjë nga krimet e kryera. Ndërkaq, edhe djali më i madh i Riina-s vuan një dënim të përjetshëm në burg për 4 vrasje.

EMISIONET