Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për vdekjen e trajnerit të boksit, Skënder Kurti, i cili humbi luftën me koronavirusin.

Në një status në Facebook, kreu i shtetit thotë se ai luftoi fort, si një kampion që nuk dorëzohet lehtë.

Reagimi i Ilir Metës

Me hidhërim të thellë mësova lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të boksierit dhe trajnerit të shquar të Ekipit Kombëtar, njërit prej ikonave të sportit kryeqytetas, Skënder Kurti!

I admiruar nga të gjithë brezat e sportdashësve për rezultatet e tij në ring dhe pasionin e jashtëzakonshëm për sportin e dorezave, Ner Kurti gëzonte respektin e të gjithëve, veçanërisht të tironasve të mrekullueshëm që aq shumë e donin dhe i donte!

Edhe në këto ditë të vështira i madhi Ner Kurti luftoi fort, si një kampion që nuk dorëzohet lehtë!

I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kurti, të afërmve, bashkëpunëtorëve e miqve të shumtë, në veçanti qytetarëve të Tiranës e tifozave të ngjyrave bardhë e blu për këtë humbje të pazëvendësueshme!

LAMTUMIRË KAMPION!

/Ora News.tv/