Vdekja e mjekut nga koronavirusi, Basha: Ditë zie për personelin shëndetësor

Vdekja e mjekut nga koronavirusi, Basha: Ditë zie për personelin

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjekut të Pukës, Hysni Shkjau, i cili e humbi betejën e tij me koronavirusin.

Në një postim në twitter, Basha thotë se ndarja nga jeta e dr. Hysni Shkjaut është një dhimbje e madhe për familjen dhe miqtë e tij dhe një humbje e pazëvëndësueshme për qytetarët e Pukës të cilëve ai u shërbeu me përkushtim per 40 vite.

"E sotmja është një ditë zie për personelin shëndetësor në vend, që mes përballjes të vështirë me pasojat e COVID-19, humbi sot dhe një mjek që jetën dhe profesionin e vuri në mbrojtje të qytetarëve. Ngushëllimet e mia shkojnë sot për familjen e dr. Hysni Shkjaut, mjekut të madh të Pukës që do ta nderojë dhe kujtojë përherë veprën e tij. U prehtë në paqe" shkruan Basha.

Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.

Luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.

Mjeku Shkjau është viktima e dytë nga koronavirusi në radhët e bluzave të bardha pas vdekjes së Dr. Arjan Pushit.

Prof. Arjan Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë.


EMISIONET