Vijon procesi i riatdhesimit, 120 pasagjerë nisen drejt Londrës

Vijon procesi i riatdhesimit, 120 pasagjerë nisen drejt Londrës

Mëngjesin e së mërkurës, 120 pasagjerë, të huaj dhe shqiptarë, udhëtuan me Air Albania drejt Londrës, fluturim i mundësuar nga qeveria në kuadër të operacioneve të riatdhesimit. Pasagjerët u shprehën se pritën më shumë se 2 javë për të marrë konfirmimin, ndërsa procedurat u mbikqyrën dhe nga përfaqësues të Ambasadës.

120 pasagjerë, shqiptarë dhe të huaj udhëtuan drejt Londrës në orën 8 të mëngjesit të së mërkurës, me avionin “Lasgushi” të flotës së Air Albania, në kuadër të operacionit të riatdhesimit.

Të shumtë ishin ata që shfaqën emocionet, se më në fund do të bashkohen me pjesën tjetër të familjes.

“Sigurisht isha e papërgatitur kur thanë se do të mbyllen kufijtë. U shokuam por pritëm që të marrim vesh se çfarë do bëhen.”

“Jemi kontaktuar nga ambasadat tona, unë me atë polaken ndërsa motra me ambasadën greke dhe na ndihmuan me fluturimet.” 

Procedurat e nisjes, u mbikqyrën nga përfaqësues të ambasadës britanike në Tiranë, që shpjeguan për RTV Ora, mënyrën e përzgjedhjes së udhëtarëve.

“Përmes platformave të medieve online ne njoftojmë se do të ketë fluturime dhe të interesuarit duhet të aplikojnë. Prioriteti i parë janë të huajt që kanë mbetur këtu pasi kishin ardhur për pushime. Në vend të dytë janë ata që kanë nënshtetësi të huaj dhe në vend të tretë janë ata që kanë leje qëndrimi të huaj. Megjithatë ne do të marrim parasysh dhe aplikime të tjera që do të vijnë”.

Po të mërkurën, rreth 120 pasagjerë u planifikuan të mbërrijnë  nga Londra, ndërsa rreth mbrëmjes, një tjetër avion nga Roma ulet në Rinas.

Këto fluturime do të mbyllin operacionet e riatdhesimit të ndërmarra nga qeveria shqiptare, ndërsa ata që mbeten jashtë Shqipërisë, do tu duhet të presin rinisjen e fluturimeve në një moment të dytë.

EMISIONET