"Unë kam vrarë", libri që nxorri sekretet e burgut të grave

"Unë kam vrarë", libri që nxorri sekretet e burgut

Para dy vitesh, gazetarja Eni Vasili solli librin e saj të parë, të titulluar "Unë kam vrarë" për të cilin u frymëzua nga historia e Nazime Vishës.

Në emisionin "Mos i fol shoferit" në Ora News, ajo ka treguar se si ai libër ndikoi në jetën e përditshme pasi ishte shumë tronditëse. I gjithë libri është i fokusuar tek jeta e grave në burg, të cilat janë të dënuara për vrasjen e bashkëshortit, të dashurit, fëmijës apo dikujt tjetër.

Eni Vasili: Libri im i parë është një libër rrëfimesh, dialogu, bisede, edhe shpirtëror. Vjen pas një eksperience profesionale që kam pasur, një iniciative pas një minoreneje që kishte vrarë dhunuesin e saj. Është një iniciativë e mbështetur nga Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj. Ka qenë një luftë gati 2 vjecare që ne kemi bërë për të arritur faljen presidenciale për atë vajzë. Bëhet fjalë për Nazime Vishën.

Kjo eksperiencë profesionale më çoi në burg dhe më dërgoi në disa histori dhe realitete njerëzore të grave që nuk i njihja, të cilat më tronditën pa masë. E vetmja gjë që mund të bëja për ato realitete ishte të tregoja historitë e tyre. Kjo ka qenë shtysa kryesore. Janë 10 histori grash, të akuzuara për vrasje në burgun e Tiranës, dikush ka vrarë bashkëshortin, dikush një burrë tjetër të jetës së vet, dikush babain, të dashurin e dikush tjetër për fat të keq fëmijën. E kam bërë me shumë vështirësi atë libër nga pikëpamja psikologjike dhe fizike, sa shpesh thoja që nuk do kthehem më aty, nuk do i dëgjoj më ato histori, do e lë librin. Ishte shumë e fortë kjo brenda meje, ishte shumë tronditëse. Më krijonte probleme realisht në jetën e përditshme. Me shumë vështirësi e kam përfunduar.

Mendoj se më shumë se një libër i frymëzuar nga karriera për të cilën po flisja, është një libër i frymëzuar nga realiteti shqiptar. Për mua është një detyrim. 

EMISIONET