E përditshmja italiane “Gazzetta dello Sport” shkruan se Juventusi do të ishte i lumtur që të shiste Gonzalo Higuan, për të arkëtuar disa miliona euro nga futbollisti amerikano-jugor, por paga prej 7.5 milionë eurosh neto që Gonzalo përfiton peshon shumë në bilanc, prandaj Juventusi i ka ofruar një tjetër opsion lojtarit: të rinovojë kontratën që skadon në verën e vitit 2021, por me ulje të ndjeshme të pagës, deri në 4 milionë euro. 

Kjo do të thotë që “Pipita”, për të vazhduar në Torino, duhet të heqë dorë thuajse nga gjysma e rrogës së tij dhe të qëndrojë për 1 ose 2 vite më shumë në radhët e “Zonjës së Vjetër”. Përndryshe bën mirë që të mendojë për një skuadër tjetër, pasi rrezikohet që edhe vitin e fundit të kontratës ta kalojë me pikatore në fushë.

Shkurt, Juventusi e ka vënë me shpatulla pas murit argjentinasin, për të cilin në orët e fundit kanë nisur të qarkullojnë edhe zëra për një interesim nga Amerika, një mundësi për të luajtur përkrah vëllait të tij Federiko (fantasist), në radhët e DC Junajtid.


/Ora News.tv/