Turqia hap portat për refugjatët drejt Europës

Turqia hap portat për refugjatët drejt Europës

Turqia ka hapur portat me Greqinë dhe Bullgarinë duke lëshuar një valë refugjatësh në shumicë sirianë e afganistanë në kufijtë e Europës. Vendimi është provokuar nga kriza në Siri që po rrit bilancin e ushtarëve turq të vrarë në vend.

Qindra refugjatë sirianë e afganë kanë nisur të dynden prej orësh nga Turqia drejt Europës. Autoritetet kanë njoftuar se nuk do e përmbajnë më fluksin e miliona azilkërkuesve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë e Bullgarisë, dhe çdo rojë kufitare është udhëzuar të mos ndërhyjë.

Kufijtë me vendet europiane u hapën të premten si pasojë e një sulmi ajror nga forcat qeveritare siriane që një ditë më parë la të vdekur të paktën 33 ushtarë turq në rajonin e Idlibit në Siri. Ushtarët po luftonin krah rebelëve kundër regjimit për të krijuar një zonë sigurie për rreth 3,6 milionë sirianë që tani strehohen nga Ankaraja.

"Po nisemi me barkë drejt Greqisë. Kemi bërë gati rrobat dhe paratë. Forcat e xhandarmërisë dhe të gjithë na kanë thënë se kufiri është i hapur. Na thanë mund të vazhdoni kur të doni," deklaroi një nga qindra emigrantët e mbledhur të premten në qytetin bregdetar të Dikilit.

Presidenti Erdogan edhe më herët ka kërcënuar se do i hapte kufijtë për refugjatët nëse vendet europiane nuk i mbështetin planet e Ankarasë për zhvendosjen e sirianëve drejt atdheut të tyre.

Ndërkohë pas gjakderdhjes në Siri ditën e enjte, Turqia raportohet se ka goditur disa objektiva të forcave qeveritare siriane.

Mbi 1,700 luftëtarë janë neutralizuar që nga fillimi i ofensivës në Idlib.

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar një takim urgjent për krizën e fundit, ndërsa kanë bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe për armëpushim.

EMISIONET