Turqia dhe BE diskutojnë sot për emigrantët. Erdogan urdhëron Greqinë: Hapni kufinjtë

Turqia dhe BE diskutojnë sot për emigrantët. Erdogan

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i kërkoi Greqisë të dielën e 8 marsit që të hapë kufinjtë për emigrantët që përpiqen të hyjnë në Bashkimin Evropian.

Ditën e sotme ai do të ketë bisedime me zyrtarë të BE-së lidhur me këtë çështje dhe tha se pret më shumë ndihma nga unioni, shkruan Reuters.

"Ne shpresonim të merrnim shumë më tepër mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare kur bëhet fjalë për refugjatët. Unë kam një takim me zyrtarë të Bashkimit Evropian nesër në Belgjikë. Ne do t'i diskutojmë këto çështje", tha Erdogan në një fjalim në Stamboll të dielën e 8 marsit.

Në Turqi janë rreth 3.6 milionë refugjatë nga fqinji jugor Siria, ku lufta civile ka filluar nga viti 2011.

"Ne kemi përmbushur detyrimet e marrëveshjes që kemi bërë me BE-në. Megjithatë, BE-ja nuk i ka përmbushur angazhimet e veta, përveç kontributeve minimale", tha Erdogan.

Sipas marrëveshjes së vitit 2016, BE-ja duhej të siguronte 6 miliardë euro për të ndihmuar Turqinë të financojë strehimin, shkollat dhe qendrat mjekësore për refugjatët.

EMISIONET