Ministrja turke e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, ka deklaruar se ekipet doganore kanë shënuar një rekord të ri duke konfiskuar një sasi prej 2 ton e 70 kg lëndë narkotike gjatë një kontrolli në një maune në pikën doganore tokësore Kapıkule, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Kjo ishte sasia më e madhe e drogës e konfiksuar në një herë të vetme në pikat doganore të vendit tonë", shkroi Pekcan në një postim nga llogaria e saj në Twitter, duke shtuar se nuk do të lejojnë kalimin dhe kontrabandimin e drogës në pikat doganore.

Ministrja turke ka rikujtuar se më parë ekipet mobile doganore konfiskuan në aeroportin e Stambollit sasinë prej 1.7 ton drogë dhe se kjo ishte sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në aeroportet e Turqisë, por me konfiksimin në operacionin e fundit kanë arritur një sukses të ri dhe më të madh.

"Ekipet tona mobile doganore shënuan një rekord të ri pasi gjatë një operacioni në pikën kufitare Kapıkule konfiskuan 2 ton e 70 kg lëndë narkotike. Konfiskimi i 2 ton e 70 kg drogë gjatë një kontrolli në një maune është sasia më e madhe e drogës së konfiksuar në një herë të vetme në pikat doganore tokësore të vendit tonë. Përgëzoj me gjithë zemër ekipin tonë të mbrojtjes doganore, veçanërisht Drejtorinë kundër kontrabandës dhe të inteligjencës për shërbimin doganor të qytetit Edirne të cilët me një përkushtim të madh luftojnë kundër kontrabandës", tha Pekcan në postimin e saj.

Lidhur me sasinë e drogës së konfiksuar, ajo tha se ekipet doganore pas dyshimeve dërguan në hangarin e skanimit x-ray një maune me targa të huaja e cila vinte nga Italia për të shkuar në drejtim të Gjeorgjisë.

Në maunen e deklaruar se transportonte mallra të llojit të plehut, qentë detektorë të narkotikës reaguan ndaj disa thasëve të cilët pasi u zbritën nga mjeti u hapën dhe më pas u përcaktua sasia e 2 ton e 70 kg lëndëve narkotike brenda 213 thasëve.

Vlera e sasisë së drogës në treg llogaritet të jetë rreth 124 milionë e 220 mijë lira turke (rreth 20 milionë dollarë). Ndërkohë theksohet se drejtuesi i maunes është shtetas i huaj dhe i njëjti është ndaluar

/Ora News.tv/