Trump me tone kritike ndaj OBSH: Nuk e ka bërë punën e saj

Trump me tone kritike ndaj OBSH: Nuk e ka bërë punën e saj

Shtetet e Bashkuara duket se nuk janë të kënaqura me punën e OBSH-së rreth pandemisë, dhe po shihet mundësia e bllokimit të fondeve për organizatën. Sipas presidentit Donald Trump, OBSH-ja i ka besuar verbërisht informacioneve nga Kina dhe për pasojë udhëzimet të saj kanë qenë të gabuara.

Presidenti amerikan, Donald Trump, mund të pezullojë fondin për OBSH-në, duke e akuzuar organizatën botërore për fshehje të informacionit rreth koronavirusit në fazat e para të përhapjes.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, në konferencën e tij të përditshme për situatën me pandeminë, tha se

"Kanë gabuar për shumë gjëra madje për pandeminë duhet të kishin reaguar muaj më parë. Informacionet i kishin por nuk donin, duket sikur anojnë shumë nga Kina. OBSH-ja merr pjesën më të madhe të fondit nga Shtetet e Bashkuara, por këto para ne do i bllokojmë, do e shohim," u shpreh të martën presidenti Trump.

Në SHBA, koronavirusi ka infektuar mbi 400 mijë veta dhe ka vrarë 12,900 të tjerë.

Trump prej kohësh përsërit se bilanci i vendit të tij do të ishte shumë më i rëndë nëse nuk do të kishte marrë masa që në fillim, siç ishte mbyllja e kufijve për të ardhurit nga Kina dhe Evropa.

Për këto lëvizje, kryeshtetari amerikan tha të martën se OBSH-ja e kishte kritikuar, duke e neglizhuar rrezikun që pandemia po i sillte botës.

Duke u bazuar në të dhënat e autoriteteve kineze, organizata e shëndetësisë gjithashtu mendonte në janar se koronavirusi transmetohej nga njeriu-te-njeriu, pandemia do të shpallej vetëm në javën e dytë të marsit, ndërsa me kalimin e javëve ndryshuan edhe udhëzimet për mbajtjen e maskave në publik.

Sipas shërbimeve informative amerikane, këto konkluzione të gabuara të OBSH-së kanë ardhur si pasojë e raportimit jo të saktë të fakteve nga Kina.

Shtetet e Bashkuara kontribuojnë më shumë në buxhetin e organizatës, por për 2021-ës presidenti Trump po mendon ta ulë financimin nga 122 milionë në 58 milionë dollarë.

EMISIONET