"Tronditet" Skënderbeu, lojtari kyç mbyll sezonin

"Tronditet" Skënderbeu, lojtari kyç mbyll sezonin

Pas 1001 problemeve me UEFA-n për pezullimin nga Kompeticionet Europiane, Skënderbeu mëson një tjetër lajm të keq.

Dëmtimi i Gjergji Muzakës ka kaluar parashikimet dhe mesfushori pritet të humbasë edhe sezonin. Nëse fillimisht u mendua se lëndimi në ndeshjen ndaj Luftëtarit mund ta linte jashtë futbollistin deri në dhjetor, vizitat e fundit kanë rezultuar edhe më fatale.

Pak ditë më parë u tha se kapiteni kishte një zgjatje të ligamenteve korsiak në gjurin e djathtë, çka kishte sjellë edhe nxjerrjen e fibulës nga pozicioni normal. Por gjithë situata ka ndryshuar. Mësohet se mesfushori ka kryer edhe një tjetër kontroll të specializuar dhe këtë herë tek një ortoped. Diagnoza rezultoi më e lartë nga çka pritej.

Ish-mesfushori i kombëtares shqiptare ka këputur totalisht ligamentet e kryqëzuara në gjurin e djathtë. Periudha që kërkon rikuperimin e një dëmtimi të tillë shkon deri në gjashtë muaj ose diçka më shumë se kaq. Gjergji Muzaka do të kryejë operacionin për rikuperimin e ligamentit dhe më pas të nis periudhën e rehabilitimit.

35 vjeçari nuk ka ecur fare pasi më herët i është dashur të bëj dy ndërhyrje të tjera në këmbë. Skënderbeu humbet një lider në mesfushë dhe një xhol në skuadrën e Ilir Dajës. Muzaka luan në të gjitha pozicionet e mesfushës, duke ndërlikuar së tepërmi rrugën drejt objektivave sezonal të korçarëve.

EMISIONET