Pas interesit të Manchester Cityt dhe Arsenalit, një tjetër klub anglez është futur në garë për të siguruar shërbimet e Isco-s.

Mesfushori spanjoll i Realit të Madridit nuk preferohet si titullar nga tekniku Santiago Solari, dhe largimi është vendimi më i mirë sipas tij. Një situatë që është nuhatur nga gjigandët e Premier League dhe konkretisht nga "Blutë e Londrës".

Maurizio Sarri është gati të shpenzojë plot 70 milion euro që në merkaton e janarit, duke djegur kështu konkurencën e Arsenalit dhe City-t, që momentalisht nuk kanë bërë hapa konkret rreth këtij operacioni. Sipas "The Sun" oferta që do i paraqitet në tavolinë Isco-s është ajo e 250 mijë paundëve në javë, me kontratën që do të zgjas për katër vite e gjysëm.

26 vjeçari nuk po kalon një periudhë të qetë në "Santiago Bernabeu", me Solarin që e lë në stol dhe me tifozët që e fërshëllejnë për çdo top të prekur prej tij. Që prej transferimit të tij në vitin 2013 nga Malaga, Isco është aktivizuar në 168 takime me madrilenët, duke shënuar dhe 33 gola.

/Ora News.tv/