Tiranë, thyenin xhama dhe vidhnin sende me vlerë në makina, një i arrestuar, një në kërkim

Tiranë, thyenin xhama dhe vidhnin sende me vlerë në makina,

Një person është arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi kryenin vjedhje të makinave në zonën e Liqenit të Farkës.

Në një periudhë prej më pak se 2 muajsh, policia ka zbardhur dhe dokumentar 6 vjedhje  nëpër parkingje. Në kuadër të operacionit të koduar "Liqeni", policia arrestoi shtetasin A. A., 32 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje të kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit: K. K., 32 vjeç i dënuar më parë për “Vjedhje".

"Dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë autorë të vjedhjeve të ndodhura në parkimet e automjeteve në zonën e liqenit të Farkës, ku pasi thyenin xhamat e automjeteve dhe bllokonin me një aparat valët e pultit për mbylljen e automjetit, merrnin nga mjetet sendet që ndodheshin brenda tyre. Nga veprimet procedurale të kryera, si dhe bazuar në këqyrjen e pamjeve filmike të cilat u janë sekuestruar subjekteve pranë vendeve të vjedhjeve, dyshohet se këta dy shtetas janë autorë të 6 vjedhjeve të kryera më parë në automjete në zonën e liqenit të Farkës", thotë policia.

Vjedhjet e dokumentuara

- Më datë 17.09.2019 i kanë vjedhur portofolin shtetasit P. Ll.;

- Më datë 17.09.2019, shtetasit E. R., në  parkimin e një lokali në zonën liqenit të Farkës i kanë vjedhur nga mjeti portofolin dhe një palë syze;

- Më datë 15.08.2019, shtetasit K. M., i kanë vjedhur nga automjeti i parkuar në zonën e liqenit të Farkës portofolin;

- Më datë 16.08.2019, shtetasit Z. P., i kanë vjedhur nga automjeti i parkuar në zonën e liqenit të Farkës një çantë;

- Më datë 30.08.2019, shtetasit D. S.,  në zonën e liqenit të Farkës i kanë vjedhur nga automjeti dy çanta dore;

- Më datë 09.07.2019, shtetasit S. T., në zonën e liqenit të Farkës i kanë vjedhur nga automjeti sendet personale.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mjeti që posedohej nga shtetasi A. A., një pult dhe një aparat i cili iu shërbente autorëve për bllokimin e valëve të pultit për mbylljen e automjeteve.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur.

EMISIONET