Punimet për Hec-et në Valbonë, Bohne: Vlahutin i ka kërkuar Ramës pezullimin

Punimet për Hec-et në Valbonë, Bohne: Vlahutin i ka kërkuar

Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin i ka kërkuar kryeministrit, Edi  Rama që të ndërpresë punimet që po bëhen në luginën e Valbonës, për ndërtimin e hidrocentraleve.

Lajmin e ka bërë të ditur Chatherin Bohne, amerikanja që është në krye të protestave kundër ndërtimit të tre hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Valbonës, teksa ka marrë pjesë në protestën e radhës të realizuar përpara kryeministrisë.

Chatherine Bohne: Romana Vlahutin i ka dërguar letër kryeministrit Edi Rama, pas ankesave të banorëve, ku kërkon që projekti i ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë duhet të ndërpritet. Ne i kemi sqaruar çdo gjë, duke i thënë se hidrocentralet po ndërtohen jo sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Chatherina shton se, në lëvizje është vënë edhe ambasada e Shteteve të Bahkuara të Amerikës.

Chatherine Bohne: Edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbledhur edhe përfaqësitë e ambasadave të tjera. Ne ishim në takim në selinë e SHBA në Tiranë dhe kemi nisur diskutimet se çfarë mund të bëjmë për këtë çështje.

Pavarësisht kësaj, grupi “Miqtë e Valbonës” kanë vijuar protestat edhe këtë të shtunë, ku i kanë kërkuar kryeministrit që të ndërpresë sa më parë punimet, si dhe të miratohet një ligj i posaçëm për referendumet.

Protestues: Ju lutem politikë, ju lutem, ose uluni me popullin që të miratoni ligjet për referendumet ose ikni në emigracion. Ato spektaklet që bëni anekënd Shqiëprisë janë farsë, mashtrim.

Lavdosh Feruni një tjetër zë kundër ndërtimit të Hec-eve thotë se qeveria duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve, pasi ndërhyrje të tilla në mjedis kanë sjellë dëme të mëdha, ku paralelizoi situatën e krijuar për shkak të përmbytjeve.

Lavdosh Feruni, ambientalist: Shkatërrimi i medisit është faktori kryesor i përmbytjeve. Çështja e shkatërrimit të pyjeve është faktori kryesor i këtyre përmasave, pasi përmbytje mund të ketë, por këto përmasa mendoj se prerja e pyjeve është një arsye që jo vetëm ndikon në përmytje, por edhe erozionin gjigand që ndodh dhe që është një e keqe shumë e madhe në këtë vend.

Protesta ka zgjatur për më shumë se një orë, përpara godinës së kryeministrisë, ndërkohë që një përfaqësi prej tre personash kanë komunikuar me zyrën e kryeministrit, ku janë vetëofruar për të ndihmuar në situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të shiut.


EMISIONET