Nga sot çdo qytetar që do të lëvizë me biçiklete tashmë mund ta gjejë atë shumë pranë vendit ku është apo ku jeton për këtë duhet të ketë shkarkuar aplikacionin “Mobike” ne telefonin e tij. 

Tirana bëhet qyteti i parë në Ballkan që sjell sistemin e biçikletave pa stacion, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet. 

Kryebashkiaku, Erion Veliaj, shprehu bindjen se kjo verë do të hyjë në histori në qytetin e Tiranës bashkë nga 4 mijë pedalime.

Veliaj: Sot nëse udhëton në Firence, nëse udhëton në Milano dhe nëse udhëton në Tiranë ndoshta nuk ka shumë gjëra të përbashkëta, ama Mobike është njësoj kudo. Kemi një copë Europë duke filluar nga ky projekt i biçikletave pa stacion që sot nis me 500 dallëndyshet e para në qytetin tonë të dashur, në qytetin e Tiranës.

Veliaj theksoi se biçikletat e reja pa stacion, janë të pajisura me të gjithë elementët e sigurisë dhe me GPS për ti gjetur menjëherë në rast se vidhen.

Veliaj: Jo vetëm kaq, por sistemi ka një lloj gardhi elektronik. Do të thotë në momentin që dilni jashtë hartës së Tiranës, pra kaloni Kthesën e Kamzës apo kaloni Kombinatin, apo kaloni periferinë e Tiranës ndizet një alarm që ju çmend kështu që ju shohin të gjithë kush ka marrë biçikletë dhe po ikën në shtëpi.

Për të përdorur biçikletat pa stacion duhet të shkarkoni aplikacionin "Mobike" në celularin tuaj. Regjistrohuni me numrin tuaj të telefonit dhe zgjidhni në hartë biçikletën më të afërt.

Më pas, me anë të telefonit, bëni skanimin e "barcode" të biçikletës dhe nga ky moment mund ta përdorni atë në qytetin e Tiranës.

Pasi përfundoni udhëtimin tuaj, mjafton ta mbyllni sërish atë me kyçin që ndodhet në rrotën e pasme dhe parkojeni në një vend të sigurt, që nuk pengon lëvizjen.

Shikoni të gjitha FOTOT duke klikuar këtu

/Ora News.tv/