Tirana mirëpret finalet e Kampionatit Europian në Volejboll për Femra, U19

Kompleksi i Parkut Olimpik të Tiranës priti për herë të parë në Shqipëri Finalet e Europianit në Volejboll për Femra (U19).

Ndeshjen finale Itali-Rusi, e cila u zhvillua të dielën, e ndoqi edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.

Veliaj theksoi se organizimi i një kampionati të përmasave të tilla është tregues se Tirana ka potencial për të mirëpritur aktivitete të mëdha ndërkombëtare.

Veliaj: “Dua të falenderoj të gjithë miqtë e Federatës Shqiptare të Volejbollit, të cilët kanë bërë një punë fantastike për të mirëpritur në Tiranë një kampionat europian të të rinjve e të rejave në volejboll. Tregon se Tirana siç është “njësh” në shumë punë, është “njësh” edhe në mikpritjen e eventeve të jashtëzakonshme të këtyre përmasave”.

Një prioritet i Bashkisë së Tiranës është edhe zhvillimi i sportit në shkolla.

Veliaj: “Dobia më e madhe është për djemtë edhe vajzat në Shqipëri, për të parë sesi Tirana, jo vetëm mund të mikpresë aktivitete të tilla, por për t’u siguruar që në një të ardhme jo shumë të largët, të kemi edhe ne nivel kampionësh. Kemi filluar me sportin në shkolla dhe besoj që shumë goca edhe çuna, do zgjedhin volejbollin si një mënyrë për t’u angazhuar pas orëve të mësimit. Ndoshta, jo të gjithë do të jenë për ekipin tonë kombëtar, ama do të mësojnë si të luajnë në skuadër dhe do mbajnë lart një traditë fantastike që Federata e Volejbollit ka në Shqipëri”.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen në organizimin e një kampionati të përmasave ndërkombëtare.

EMISIONET