Thirrja për tubimin e 2 marsit, Spiropali: Metën nuk e ndihmon dot populli

Thirrja për tubimin e 2 marsit, Spiropali: Metën nuk e ndihmon dot

Mazhoranca e konsideron krijim të Presidentit të Republikës tetativën për grusht shteti dhe që vjen nga frika e zbatimit të reformës në drejtësi.

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali, në një reagim në rrjetet sociale shprehet se Metën në këtë hall nuk e ndihmon dot as Basha dhe as populli.

Spiropali: “Zoti e ndihmoftë Ilir Metën se Presidentin s’e ndihmon dot më as Luli! Populli jo e jo. Sa për grushtin e shtetit, ai ka nisur në kokën e Ilirit qysh kur nisi Reforma në Drejtësi dhe do të vazhdojë sa herë që në konsensus me SHBA-BE ne miratojmë ligje që atij i duken grushta.”

Pas deklaratës së Spiropalit reagoi zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi, i cili akuzoi mazhorancën se ka mashtruar institucionet ndërkombëtare për nismat kundër institucioneve kushtetuese.

Blushi: “Moj e Çmendura E., po edhe për grushtin e shtetit keni marrë konsensusin e SHBA-BE? Se Venecian që vetë e kërkuat, po vetë e përzutë! Megjithatë, ne nuk nxitohemi! Po presim edhe opinionet zyrtare të EURALIUS-it. Se kështu mashtruat ju edhe për opinionet që nuk ekzistojnë të KED, Shkollës së Magjistraturës, dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që shkëlqeu me delegjitimimin e ligjit tuaj anti-kushtetues të betimit buzë Lanës. Mbani fort oligarkët se ata janë të besës. Sa për popullin, do e shihni shumë shpejt! Edhe pak durim! Me qetësi dhe drejtësi!"

Në një reagim të mëvonshëm, Blushi i përgjigjet edhe Ulsi Manjës.

Blushi: Ftohet zëdhënësi i Dosjes së Dibrës të marrë pjesë nesër në konferencën e radhës për shtyp në Presidencë, e madje të bëjë pyetje dhe debat para gazetarëve, jo vetëm si kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe lider i reformës në drejtësi, por dhe si filozof i paparë që u shfaq sot.Me qetësi dhe drejtësi! Deri në 2 mars jemi të bindur se do bashkohesh me mbarë popullin kundër grushtit të shtetit. Se faktet e reja tronditëse do bëjnë të harrohet dhe Dosja 184.Presidenti të pret nesër në Presidencë, t’i dëgjojë këshillat e tua nga afër. Ai do të trajtojë me më shumë përulësi, se sa e trajtove ti në Komisionin Parlamentar. Të presim!

Ndërsa deputeti, Spartak Braho, thotë se puçet zakonisht i bën opozita dhe jo qeveria.

Braho: Unë çuditem me një gjë, nuk e kuptoj alarmin e opozitës dhe kreut të shtetit se po bën grusht shteti Edi Rama. Është absurde, si mund të bëjë grusht shteti Edi Rama. Grusht shteti bëjnë struktura të tjera, bëjnë forca të tjera, opozita i organizon grushtet e shtetit. Është qesharake, përse do bëjë grusht shteti mazhoranca, për të marrë pushtetin? E ka! Kështu që është jo vetëm qesharake, por është edhe një lloj justifikimi. Unë jam deputet i vjetër dhe kam qenë prezent në dy raste kur Sali Berisha ka tentuar të bëjë grusht shteti. Nuk e bën grushtin e shteti ai që është në pushtet. Grusht shteti do të thotë të marrësh pushtetin me dhunë. Si mund të bëjë mazhoranca kundër vetes së saj. Kaq e thjeshtë është logjika." 

Presidenti i Republikës lajmëroi se çdo ditë do të vijojë betejën me dekrete dhe denoncime për të shpartalluar atë që ai e quan puç shtetëror.

Reagimi i Tedi Blushit:  Blushi i përgjigjet Spiropalit: Popullin do e shihni shumë shpejt


EMISIONET