Thelbi është tjetërkund

Thelbi është tjetërkund

Ka një ngazëllim të pakuptueshëm në lidhje me Rezolutën e miratuar në  Parlamentin Europian ku theksohet përmbushja nga Shqipëria e 15 kushteve  të caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian përpara mbajtjes së  Konferencës Ndërqeveritare. E njejta gjë mund të thuhet edhe për debatin  për Shqipërinë në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit  Europian.

Duhet thënë se çdo deputet apo grupim politik në  Parlamentin Europian është në të drejtën e vet për të pasur një vlerësim  politik për Shqipërinë. Por, në kuptimin ligjor, Parlamenti Europian  nuk ka kompetencë për të përcaktuar e numëruar listë me kushte apo  detyra shtëpie për nisjen e negociatave. Kjo është një kompetencë e  Vendeve Anëtare të BE-së, të cilat vendosin me unanimitet bazuar mbi  propozimin e Komisionit Europian. 

 Parlamenti Europian ka  miratuar disa herë Rezoluta në mbështetje të procesit të liberalizimit  të vizave me Kosovën, por Vendet Anëtare të BE-së ende nuk kanë marrë  një vendim përfundimtar. Në rastin e aderimit të Shqipërisë, Parlamenti  Europian ka për ta thënë fjalën e tij në momentin e shqyrtimit të  Traktatit të Aderimit, siç e ka thënë edhe në rastin e shqyrtimit të  Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. 

 Natyrisht, shqetësimet e  shprehura nga eurodeputetë është mirë të sqarohen e të trajtohen në  rrugë shtetërore, diplomatike dhe parlamentare. Nëse grupimet tona  politike nuk “eksportojnë” politikën e ditës tek grupimet politike  respektive në Parlamentin Europian, një pjesë e mirë e këtyre  shqetësimeve trajtohen lehtësisht. Këtë mësim, ndryshe nga ne, disa  vende të rajonit e kanë mësuar me kohë. Sepse, në dallim nga Komisioni  Europian dhe Vendet Anëtare, eurodeputetët nuk kanë grupe ekspertize për  verifikimin e reformave në tërren. 

 E pra thelbi është  tjetërkund. Ndaj nuk duhet të ngatërrojmë radhën dhe rolin e çdo  institucioni europian në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, me  vijimin e përmbushjes së detyrave të shtëpisë. 

 Hapi I.

  Fillimit të negociatave i paraprin përgatitja nga ana e Komisionit  Europian dhe miratimi nga Vendet Anëtare të BE-së të “Kuadrit  Negociues”.  Ky dokument përcakton parimet, thelbin dhe procedurat mbi  të cilat do të zhvillohet i gjithë procesi. Vendet Anëtare kanë  përcaktuar një katalog me disa detyra, mënyra e adresimit të të cilave  nga ana e Shqipërisë duhet të reflektohet në dokumentin e “Kuadrit  Negociues”. Ndërkohë që Komisioni do të ndërveprojë me Vendet Anëtare  për miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm, ne nuk duhet të rrijmë  në pritje. Por, duhet gjithashtu të përgatisim kuadrin tonë negociues, i  cili do të shërbejë si platformë udhërrëfyese në këtë proces, shoqëruar  me fuqizimin e kapaciteteve administrative dhe financiare. Në këtë  dokument, ne duhet t’i përgjigjemi edhe shqetësimeve kryesore edhe  detyrave të lëna nga Vendet Anëtare të BE-së, duke dëshmuar  përgjegjshmëri, vullnet politik dhe qartësi për rrugën e vështirë të  reformave që duhet të ndërmarrim. Ky dokument duhet t’i nënshtrohet një  konsultimi e diskutimi të vërtetë politik e shoqëror.

 Hapi II.

  Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që simbolizon nisjen e  procesit, do të shërbejë si platformë ballafaqimi e dy Kuadreve  Negociues, atij të BE-së dhe Shqipërisë. Mbajtja e Konferencës së Parë  Ndërqeveritare është e ndërlidhur me përmbushjen e disa detyrave të lëna  nga Vendet Anëtare të BE-së për Shqipërinë. Detyra, që kanë të bëjnë me  reformën zgjedhore, funksionimin e gjykatës kushtetuese, gjykatës së  lartë, rishikimin  e legjislacionit të medias në përputhje me  rekomandimet e Komisionit të Venecias, reduktimin e fenomenit të  azilkërkimit, progresin dhe funksionimin e strukturave të specializuara  në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për përmbushjen e  këtyre detyrave, Komisioni Europian do të raportojë sërish para Vendeve  Anëtare. Na duhet një plan veprimi për përmbushjen e detyrave të  mësipërme. Plani duhet të jetë publik, të adresojë përgjegjësinë  institucionale të aktorëve të përfshirë në proces dhe të jetë i  afatizuar. 

 Hapi III.

 Faza e tjetër është ajo e shqyrtimit  të përputhshmërisë së legjislacionit dhe kuadrit institucional, ku  Shqipëria do të prezantojë planet për arritjen e përputhshmërisë në  mënyrë progresive. Pasi të kryhet ky shqyrtim (‘bilateral screening’),  Komisioni Europian përgatit raportin e shqyrtimit për grup kapitujsh  (‘clusters’) e çdo kapitull negociimi, ku vlerësohet gjendja e rendit  ligjor në raport me atë të BE-së, shkalla dhe planet për përputhshmëri  të plotë, sikundër kapacitetet administrative dhe korniza  institucionale. Komisioni Europian i paraqet Vendeve Anëtare të BE-së  atë që njihet ndryshe si ‘screening report’. Pas shqyrtimit dhe  miratimit nga ana e Vendeve Anëtare të raportit të Komisionit Europian,  ftohet Shqipëria për të paraqitur pozicionin negociues për kapitull.  Ndërkohë që vetë Vendet Anëtare miratojnë pozicionin negociues të BE-së  për kapitull.

 Nëse Vendet Anëtare vlerësojnë se Shqipëria nuk  është e gatshme për të marrë përsipër angazhimet që burojnë nga  kapitulli negociues, ato përcaktojnë disa kushte për t’u përmbushur për  hapjen e kapitullit. Në këtë rast, Komisioni sërish duhet të paraqesë  para Vendeve Anëtare të BE-së një raport për përmbushjen e kushteve  paraprake për hapjen e negociatave për kapitull. Pas shqyrtimit e  miratimit të raportit nga Vendet Anëtare, ftohet Shqipëria për të  paraqitur pozicionin negociues për kapitull. Ndërkohë që Vendet Anëtare  miratojnë pozicionin negociues të BE-së për kapitull.

 Hapi IV.

  Vetëm pas ezaurimit të hapave të mësipëm mbahet Konferenca  Ndërqeveritare për hapjen e Kapitullit, ku palët ballafaqojnë pozicionet  e tyre negociuese. Nëse në pozicionin negociues të BE-së për kapitull  specifikohet se niveli i përputshmërisë së Shqipërisë me standardin  europian (‘acquis’) është i kënaqshëm dhe se nuk është e nevojshme që të  zhvillohen negociata të mëtejshme, atëhere negociatat për kapitull  mbyllen përkohësisht. 

 Praktika na tregon se në shumicën e  rasteve BE-ja përcakton disa kushte që duhen përmbushur nga vendi  kandidat në mënyrë që negociatat për kapitull të konsiderohen të  mbyllura. Në këtë rast, përsëritet e njejta procedurë dhe skemë  bashkëpunimi, si tek kushtet per hapjen e kapitullit, ndërmjet  Shqipërisë nga njëra anë dhe Komisionit Europian e Vendeve Anëtare nga  ana tjetër. Gjithashtu, mbyllja e çdo kapitulli bëhet përmes organizimit  të Konferencës Ndërqeveritare.

 Hapi V.

 Negociatat  përfundohen me marrëveshje ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së për të gjithë  kapitujt. Deri në momentin që një gjë e tillë deklarohet formalisht nga  krerët e Vendeve Anëtare të BE-së, është e mundur rihapja e kapitujve,  në rastet kur nuk përmbushen angazhimet e ndërmarra. Pasi, i gjithë  procesi i negociimit zhvillohet mbi bazën e parimit “për asgjë nuk është  rënë dakord, derisa për çdo gjë të bihet dakord”. Me mbylljen e  negociatave përcaktohet edhe data e mundshme e aderimit në BE. 

 Hapi VI.

  Pas mbylljes së negociatave, hartohet Traktati i Aderimit që  nënshkruhet nga palët. Traktati i Aderimit do të duhet të ratifikohet  nga Kuvendi i Shqipërisë, Parlamenti Europian dhe të gjithë parlamentet  kombëtare të Vendeve Anëtare të BE-së. Siç ka vende që ja nënshtrojnë  Traktatin e Aderimit referendumit popullor, praktika e deritanishme  tregon se një gjë të tillë bën edhe vendi kandidat.

 Hapi VII.

 Pas përmbylljes së procedurave të ratifikimit, vendi bëhet zyrtarisht anëtar i BE-së.

  Shpjegimi i mësipërm shpresoj që të ndihmojë sadopak për të kuptuar se,  kushtëzimi demokratik do të na shoqërojë në çdo hap të procesit të  integrimi europian. Për shembull, Mali i Zi ka nisur negociatat me BE-në  në vitin 2012 dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm 3 kapituj në 8 vjet.  Serbia ka nisur negociatat me BE-në në vitin 2014 dhe ka mbyllur  përkohësisht vetëm 2 kapituj në 6 vjet. Progresi i kufizuar në reforma  nga njëra anë, dhe mungesa e optimizmit për procesin e zgjerimit nga ana  tjetër, flasin qartë. Me metodologjinë e porsamiratuar, në rast të  mospërmbushjes së standardeve, procesi mund të ngrijë, të kthehet në  pikën e nisjes dhe fondet e alokuara nga BE të pezullohen. 

 Nuk  duhet të ushqejmë asnjë iluzion se procesi i anëtarësimit në BE do të  jetë i lehtë. Për çdo hap që do të hedhim nevojitet konsensus nga Vendet  Anëtare të BE-së. Ndaj, nuk mund të pretendojmë cilësi dhe ritëm  reformash pa bashkëpunim politik dhe mirëkuptim institucional. Na duhet  të dalim nga labirinthi i vetmashtrimit që nuk prodhon rezultate të  prekshme e të kontribuojmë secili sipas përgjegjësisë që na takon, për  një Pakt për Europën, ku të përcaktojmë një herë e mirë shtyllat dhe  rregullat e sjelljes politike për këtë proces jetik për fatet e vendit.  Na duhet pronësi për reformat!

EMISIONET