Thaçi qorton Kurtin: SHBA mund të na lërë në baltë si BE me vizat

Thaçi qorton Kurtin: SHBA mund të na lërë në

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paralajmëron se tërheqja e trupave amerikane nga vendi mund të bëhet realitet së shpejti, nëse qeveria nuk ndryshon qëndrim për tarifën 100 për qind. Sipas Thaçit, ekziston mundësia që SHBA ta lërë në baltë vendin sikurse BE-ja.

Në Kosovë vijon përplasja institucionale mes presidencës dhe kryeministrisë rreth çështjes nëse qëndrimet për dialogun me Serbinë po sakrifikojnë aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas ditës së hënë, kryeministri Albin Kurti sërish refuzoi të mërkurën një takim sqarues me presidentin Hashim Thaçi për vendimin e shfuqizimit gradual të tarifës 100 për qind për importet serbe dhe boshnjake.

Uashingtoni ka paralajmëruar se nëse masa tarifore hiqet pjesërisht, rrezikohet tërheqja e qindra trupave amerikane nga Kosova si edhe paqja në rajon.

Presidenti Hashim Thaçi kërkon reflektim qeveritar.

"Kosova nuk është pronë e një individi, Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. As vetë liria, as shteti dhe as vetë ekzistenca jonë nuk ka kuptim pa partneritet me SHBA-të. Jemi dëshmitarë se duhet të jemi pjesë e BE-së, por edhe jemi dëshmitarë se të tjerët mund të na lënë në baltë, siç na kanë lënë për viza."

Thaçi tha se mungesa e rakordimit me Kurtin do e fuste vendin në zhvillimet më dramatike të 20 viteve.

Zyra kryeministrore informon se takimi mund të vijë ditën e premte.

Disa senatorë dhe i dërguari i posaçëm amerikan i dialogut Kosovë-Serbi e kanë mbështetur idenë e rishqyrtimit të pranisë ushtarake në vend.

Kurti nuk e ka përjashtuar këtë skenar, dhe ka deklaruar se vendimet e aleatit nuk do të nxiteshin prej tarifës 100%, por prej strategjisë kombëtare.

Opozita kosovare ka thirrur një seancë plenare të jashtëzakonshme për qasjen ndaj SHBA-së.

EMISIONET