Terrorizmi u shtua gjatë 2019, raporti: Vjedhjet dhe vrasjet rrezikojnë sigurinë personale

Terrorizmi u shtua gjatë 2019, raporti: Vjedhjet dhe vrasjet

Qytetarët shqiptarë ndjehen të pasigurt për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Një raport i organizatave jo qeveritare, evidenton se krimet kundër pronës dhe vrasjet  janë kërcënimet kryesore ndaj sigurisë personale. Lufta ndaj krimit të organizuar është një nga kushtet kryesore që vendi duhet të përmbushe në rrugën drejt BE-së.

Korrupsioni, krimi i organizuar dhe terrorizmi perceptohen nga qytetarët si tre kërcënimet kryesore ndaj sigurisë në Shqipëri.

Në një raport të publikuar nga qendra për studimin e demokracisë dhe qeverisjes, i konfirmuar dhe nga Prokuroria e Përgjithshme evidentohet se përgjatë vitit të shkuar janë regjistruar 10 vepra penale me qëllime terroriste, 6 më shumë se viti paraardhës si dhe 91 raste procedimi për korrupsion.

"Për qëllime terroriste janë regjistruar 10 procedime penale".

Përgjatë vitit të shkuar u shkatërruan 28 grupe kriminale, por krimet kundër pronës dhe vrasjes perceptohen nga qytetarët si kërcënimet kryesore ndaj sigurisë personale.

Strategjia e hartuar për luftën ndaj krimit 2012-2020 sipas drejtuesve të policisë ka arritur objektivat por ka patur problematika që kanë ndikuar në mos përmbushjen e plotë.

"Nuk ka patur realizim në disa objektiva apo disa detyrime në të cilat Policia e Shtetit apo Ministria e Brendshme nuk ka kompetenca".

Lufta ndaj krimit të organizuar është një nga kushtet kryesore të BE-së për anëtarësimin e vendit, ndaj ambasadorja e Holandës vë theksin tek bashkëpunimi i qytetarëve dhe organizatave në luftën ndaj këtij fenomeni.

"Shqipëria ka bërë progres por duhet që lufta kundër krimit të organizuar të jetë në fokus pasi është një nga kushtet e BE. Duhet që të ketë një bashkëpunim mes qytetarëve, organizatave dhe qeverisë".

Organizatat jo qeveritare dhe institucionet ligjzbatuese pritet të hartojnë një strategji të re për sa i përket luftës ndaj krimit të organizuar, që prej vitesh është fenomen shqetësues për vendin tonë.

EMISIONET