Presidenti i Republikës e shikon të domosdoshme që qeveria e drejtuar nga Edi Rama të ndërmarrë nismën për ndryshimin e legjislacionit të planifikimit urban. Pas takimit me pedagogët dhe drejtuesit shkencorë Ilir Meta paraqet katër kërkesa kundrejt Kryeministrit, si zgjidhje e menjëhershme për situatën e krijuar pas tërmetit të 26 Nëntorit.

"Të plotësohet legjislacioni i planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit".

Kreu i Shteti thekson se duhet të evidentohen zonat e rrezikuara nga lëkundjet sizmike si dhe të urdhërohet zbatimi i eurokodeve në ndërtimin e objekteve civile dhe të banimit.

"Të fillojë puna sa më parë për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarret. Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim".

Në fund të kërkesave të tij, Ilir Meta kërkon rishikimin e buxhetit të 2020 për t’i dhënë mbështetje financiare institucioneve që merren me kërkimin shkencor.

KËRKESAT E METËS

Ndryshimin e legjislacionit me elementë sigurie

Hartë të re Fizike të Riskut

Të zbatohen sistemi i eurokodeve

Mbështetje financiare për kërkimin shkencor

- Fillimin e punës sa më parë, për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarrjet, etj

- Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim;

- Plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit;

- Në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor.

/Ora News.tv/