Presidenti i Republikës, Ilir Meta do t’i mbrojë të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, në Strasburg, në Bruksel, në Nju Jork dhe kudo në botë.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi në një postim në Facebook, shkruan se respektimi i të drejtave të qytetarëve çliron të ardhmen europiane të vendit nga pengmarrja e oligarkisë nga e cila këta mashtrues ordinerë paguhen.

Reagimi i Tedi Blushit

I njoftojmë përsheshngrënësit e portaleve në të zezë të dezinformojnë më me dinjitet. Presidenti Meta është për vizite pune në Strasburg dhe i shoqëruar në çdo takim nga përfaqësuesit diplomatikë të shtetit shqiptar pranë Këshillit të Europës.

I sqarojmë përsheshngrënësit se Presidenti Meta do ta vizitojë më shpesh Strasburgun, kryeqytetin e të drejtave të njeriut, pasi vetëm respektimi i tyre çliron të ardhmen europiane të vendit nga pengmarrja e oligarkisë nga e cila këta mashtrues ordinerë paguhen.

I sqarojmë gjithashtu se Presidenti Meta nuk ka nevojë të lobojë, as në të bardhë, e as në të zezë.

Presidenti Meta do t'i mbrojë të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, në Strasburg, në Bruksel, në Nju Jork dhe kudo në botë, hapur e në mënyrë parimore.

Shqipëria si vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe si vend që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian, ka detyrim ligjor të mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj, siç sanksionojnë të gjitha dokumentat e konventat që janë në fuqi.

/Ora News.tv/