Deputeti i opozitës, Ralf Gjoni, deklaroi në parlament se mazhoranca nuk ka më asnjë integritet dhe asnjë besueshmëri morale përballë popullit shqiptar që nga dita e shembjes së godinës historike që u përdor si Teatër Kombëtar.

I ashpër Gjoni ishte dhe me kolegët socialistë që pretendojnë se godina nuk ishte gjë tjetër veçse tallash.

Gjoni: Kemi mbetur shumë pak përballë kësaj mazhorance arrogante dhe kësaj qeverie që donte të bënte shtet dhe i vetmi model që po ofron sot është shteti i fadromës, buldozerit, shteti i vrasjes dhe shkatërrimit. Kjo mazhorancë nuk ka më asnjë integritet dhe asnjë besueshmëri morale përballë popullit shqiptar që nga dita e shembjes së godinës historike që u përdor si Teatër Kombëtar. 

Nuk mund ta shuajë dhimbjen e madhe që po përjeton populli shqiptar as një injorant që ka ardhur nga mullari i kashtës me sfurk në dorë në kryeqytet dhe e quan atë godinë të 1938 tallash. Nuk e pranoj si tiranas një lloj injorance të tillë. Po kur del me pupulit në dorë, ai është celenit o injorant, material fibër i nivelit të kualitetit jashtëzakonisht të lartë që përdoret për termoizolime dhe izolime akustike në studiot më të shtrenjta të regjistrimit në botë dhe e quani tallash. Suedezët mburren me godinat e baltës dhe kashtës ne mes të Stokholmit.

Pas tij fjalën e mori Ministrja Spiropali duke derklaruar se të gjithë ata që kanë lënë shpirtin për atë teatër janë për ndërtimin e një teatri dinjitoz kombëtar.

Por sërish Gjoni nuk ra dakord. Madje ai solli në vëmendje edhe arkitektin danez Bjarke Ingels, që në bindjen e tij nuk e di se në çfarë grope zullumesh e ka futur mazhoranca socialiste.

Gjoni: Elisë e dashur, kur gjyshi im ka zbritur nga Qeparoi në Tiranë, ka zbritur me kostum dhe kollare në qafë dhe jo me sfurk në dorë për t'ja vënë në fyt atyre qytetarëve të Tiranës. Kur gjyshi tjetër nga ana e mamasë, tirons denbabaden artist ka punuar te ai teatër ata që sot bëjnë sikur e mbrojnë teatrin ishin në tjetër vend. Ai teatër ka vlera muzeale. Kam një artikull këtu, arkitekti danez Bjarke Ingels, i preferuari i këtyre tallashazhinjve thotë në 2015 se "nëse do të kishte qenë për mua kullat binjake që u shembën në 11 shtator do ti ringrija përsëri ashtu si ishin sepse ishte shpirti historik i identifikimit të Manhattanit". 

Ta dijë Bjarke Ingels, derëziu se ku e keni futur, do të merremi dhe me atë se i kemi lidhjet, ta dijë se në çfarë grope e keni futur me zullumet tuaja, le të dalë edhe të thotë se është projekti im ajo paçavure. Elisa, teatri mund të ruhej si muze dhe të ndërtonim dhe teatrin e ri te bulevardi i ri. Këto kënaqësi të dhunshme kanë një fund të dhunshëm. Mos e harroni këtë, sidomos ti Taulant.




/Ora News.tv/