Qyteti i Vlorës është tronditur nga të shtënat me armë mbrëmjen e së hënës 6 gusht.

Pronari i një dyqani ushqimor i ka shpëtuar mrekullisht plumbave në drejtim të tij pas një sherri banal. Ngjarja është shënuar në lagjen "Pavarësia" shumë pranë universitetit "Ismail Qemali" në një zonë shumë të populluar.

Sipas burimeve nga policia e Vlorës, rreth orës 22:00 një person ka qëlluar 5 herë ndaj pronarit të një subjekti tregtar në Vlorë.

Fatmirësisht plumbat nuk e kanë kapur objektivin e të shtënave dhe nuk ka pasur të lënduar të tjerë vetëm dëme materiale.

Policia: Më datë 06.08.2018, rreth orës 22:00, në lagjen ''Pavarësia'',  janë dëgjuar 3  të shtëna me armë zjarri (pistoletë), ku nga të shtënat paraprakisht  nuk ka rezultuar të ketë persona të dëmtuar. Si rezultat i reagimit në kohë të policisë janë identifikuar autorët dhe po punohet  për kapjen e tyre. Grupi hetimor ka nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Menjëherë policia ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe më pas janë sekuestruar dhe gëzhojat dhe po punohet për të arrestuar autorin i cili është identifikuar si L.B 50 vjeç

Policia e Vlorës konfirmon se autori L.B ka dërguar një tjetër person të thërrasë pronarin e subjektit tregtar për të dalë jashtë dyqanit dhe sapo ky i fundit i është afruar pranë tij autori i është drejtuar me fjalët: "Përse më mban në gojë!"

Më pas ka qëlluar në drejtim të tij. Fatmirësisht asnjë plumb nuk ka arritur ta godasë, ndërsa të shtënat kanë krijuar panik në qytet.

Dyshohet se autori mund te jetë i dashuri i një prej punonjësve të subjektit tregetar, ndërsa pronari i subjektit nuk ka patur asnjëherë ndonje konflikt





/Ora News.tv/