Për të mos u harruar/ 16 janar 1999: Forcat policore nuk lejojnë varrimin e të vrarëve në Masakrën e Reçakut

Më 15 janar 1999 ato pak banorë që nuk ishin larguar nga fshati Reçak i Komunës Shtimë në Kosovë u zgjuan nga krismat e armëve. Atë ditë në këtë fshat, 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë. 

Ngjarja e cila u cilësua si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë sjell shkrime të atyre ditëve mes tyre atë kur:  William Walker viziton vendin ku ndodhi masakra

"Trupat e të vrarëve kishin mbetur në këtë luginë deri në mëngjesin e 16 janar të vitit 1999. Më 16 janar, në mëngjes, në Reçak shkoi William Walker, asokohe shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Ky mision ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut. Kur Walker pa trupat e të vrarëve në prononcimin e tij të parë para mediave tha: "Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme".

Pas largimit të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së nga Reçaku, banorët i mblodhën trupat e pajetë dhe i vendosën në xhaminë e fshatit, ku pritej që të kryhej varrimi. Forcat serbe nuk lejuan varrosjen e trupave dhe filluan luftimet në mes të forcave ushtarake dhe policore si dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pasi gati dy ditë luftimesh, forcat policore e ushtarake serbe me forcë i morën të gjithë trupat e të vrarëve dhe i dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me arsyetimin se duhej bërë obduksioni për shkak se autoritetet serbe mohonin të kenë vrarë e masakruar civilë. Në deklaratat e zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se të varët ishin pjesëtarë të UÇK-së që ishin vrarë në luftime. Presidenti amerikan, Bill Clinton përmes një video-mesazhi dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë duke thënë se kjo ngjarje "ishte një veprim vrasjeje e qëllimshëm dhe pa dallim, i krijuar për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës".


EMISIONET