Të hënën në Kosovë, Thaçi: Lajçak të ndajë mendjen, Kosova është shtet i pavarur!

Të hënën në Kosovë, Thaçi: Lajçak të

Në prag të vizitës së të deleguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Presidenti, Hashim Thaçi, në një intervistë për televizionin Ora, i ka bërë thirrje diplomatit europian që të vijë në Prishtinë me mendjen e kthjellët se Kosova është shtet i pavarur.

Pyetje: Në Prishtinë ditën e hënë zbarkon Miroslav Lajçak në mesin e një debati që po ndodh në distancë mes jush dhe kryeministrit Hoti. Ai është shprehur së fundmi se dialogun do të drejtojë ai, në fakt ju kemi parë juve në krye të procesit. Kush do ta drejtojë dialogun dhe me kë do të flasë Lajçak për çështjet thelbësore?

Hashim Thaçi: Kushtetuta i përcakton qartë kompetencat e Presidentit dhe Kryeministrit. Jemi në krye të institucioneve për të punuar bashkarisht, për të plotësuar njëri-tjetrin, për tu përballuar në raport me Serbinë, besoj se SHBA-të do të marrin rolin që ju takon, udhëheqës në këtë proces, dhe do të kemi lëvizje të shpejtë edhe nga ambasadori Grenell me mbështetje direkte të presidentit Trump. Shpresoj që në fund të këtij procesi të arrihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos të ardhmes europiane. Lajçak kur të zbresë në Prishtinë duhet të jetë i qartë, i saktë dhe të ndërpritet abuzimi që BE ka bërë me Kosovën, në veçanti me liberalizimin e vizave kur ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret e domosdoshme por ende mbetemi të ndëshkuar dhe të izoluar krejt padrejtësisht.

Thaçi tha gjithashtu se BE-ja duhet të ndalë abuzimin me Kosovën dhe të liberalizojë vizat.

Pyetje: President, a ka një pakënaqësi në rritje nga ana juaj kundrejt BE-së?

HashimThaçi: Jo, unë vetëm kërkoj që të ndalet ky abuzim në raport me Kosovën, ne jemi popullata më proeuropiane dhe mbetemi të izoluar për shkak të mosunitetit europian.

Pyetje: A ka një preferencë nga ana juaj për ta tërhequr disi më shumë faktorin e Uashingtonit dhe ndoshta një kontestim nga ana e partnerëve europianë për qëndrimet tuaja?

Hashim Thaçi: Jo, Kosova është vendi dhe popullata më proeuropiane dhe proamerikane në Europë. Nuk pretendojmë të ardhme tjetër pos asaj europiane por edhe BE duhet të jetë i gatshëm që të na e hapë derën, me na pranu. Ne jemi pjesë e familjes europiane, jemi europianë. Nga ana tjetër, kemi zbatuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, por ende jemi të diskriminuar. E kam thënë hapur edhe në Bruksel në të gjitha takimet. Defekti i BE në raport me Kosovën është mosuniteti i shteteve anëtare, sepse shumica e tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pesë prej tyre nuk e kanë njohur. Edhe Lajçak kur vjen në Kosovë duhet ta ketë shumë të qartë a vjen me qëndrimin që Kosova është vend i pavarur dhe sovran apo vjen me qëndrimin që e ka prezantuar personalisht dhe pesë vendeve, apo dhe vetë shtetit të tij që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.Nëse vjen me opinionin që Kosova nuk është e pavarur dhe sovrane dhe nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, atëherë misioni i tij... Ne jemi miq prej dy dekadash, njihemi shumë mirë me njëri-tjetrin, por nuk ka miqësi në raport me kontestimin e shtetësisë së Kosovës. Në këtë drejtim toleranca është zero ndaj secilit, në emër të kujtdo që vjen. E keqja është se Lajçak ka votuar edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe Interpol. Vjen me defiçite në raport me shtetin e Kosovës.


EMISIONET