Të boshatisura plazhet dhe hotelet në Ishullin e Korfuzit

Të boshatisura plazhet dhe hotelet në Ishullin e Korfuzit

Turizmi i siguroi Greqisë 18 miliardë euro të ardhura në 2019-ën, ndërsa këtë vit pandemia rrezikon me dhjetëra mijëra vende punë të sektorit. Rihapja e plazheve shpresohet të ndodhë në muajin korrik. Kryeministrit Micotaqis thotë se parlamenti do punojë me kohë të plotë edhe gjatë verës.

Greqia vitin e kaluar priti 34 milionë turistë, por me masat në fuqi kundër pandemisë së koronavirusit, ky sektor ende shpreson te rifillimi i sezonit të verës.

Plazhet dhe hotele të tëra në destinacione si Ishulli i Korfuzit qëndrojnë të boshatisura nga të huajt, dhe nëse rezulton i vërtetë sondazhi i Dhomës Helene për Hotelerinë, deri 65 për qind e atyre që funksionojnë gjithë vitin janë gati për faliment.

"Turizmi po përballet me krizën më të rëndë. Korfuzi që e ka tërë ekonominë e vet të varur te ai, me gjasë nuk do të hapet këtë verë ose do ketë prenotime të ulëta, këtë askush nuk e di," deklaron presidenti i shoqatës lokale të hoteleve.

Ministri grek i Turizmit, Heri Teokaris, thotë se plani i qeverisë është që hyrjet e para të nisin me korrikun.

"Kjo është pyetja një milion dollarëshe, që sigurisht kushtëzohet nga vendet e tjera dhe se si ato do e kalojnë krizën. Ky sezon nuk ka për të qenë si të tjerët, do të isha i marrë po ta besoja. Por mund të bëjmë më shumë për ekonominë turistike, pasi interesi i njerëzve është i lartë, me gjithë situatën."

Vitin e kaluar turizmi i siguroi Greqisë 18 miliardë euro të ardhura, por në muajt në vijim, dëmet në arkën e shtetit llogariten në 4 miliardë euro, ndërsa në rrezik janë edhe 45 mijë vende pune.

Si pasojë e karantinës kombëtare që aplikohet nga 23 marsi, njohësit e sektorit në Greqi thonë se turistët tashmë do të duhet të mësohen me rregullat e reja të vendit, të bazuara te distancimi, higjiena, maskat dhe organizimet në grupe të vogla.

Krahasuar me vendet e tjera europiane, Greqia paraqitet më mirë me bilancin e pandemisë, edhe pse 138 persona kanë humbur jetën dhe mbi 2,500 të tjerë janë bartës të virusit.

Të mërkurën kryeministri Qirjakos Micotaqis tha se qeveria e tij këtë verë do vijojë punën me kohë të plotë për të rifituar kohën e humbur me krizën.

Lehtësimi gradual i karantinës pritet të nisë nga data 4 maj për dyqanet dhe floktoret, shkollat e mesme do hapen një javë më vonë ndërsa pritja për restorantet, qendrat tregtare dhe hotelet do të vazhdojë deri më 1 qershor.


EMISIONET