Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani i ka kërkuar themeluesit të Facebook Mark Zuckerberg të dëshmojë personalisht përpara eurodeputetëve për skandalin e privatësisë që ka tronditur platformën sociale. Kërkesa e tij është përsëritur edhe nga të tjerë eurodeputetë, të cilët kanë këshilluar Zuckerberg të pranojë interpelancën me ligjbërësit e Bashkimit Europian.

Shefi ekzekutiv i Facebook Mark Zuckerberg është vënë nën presion nga ligjbërësit e BE-së për të ardhur në Europë e për të dëshmuar lidhur me skandalin e keqpërdorimit të të dhënave në platformën sociale, që ka prekur rreth 3 milionë europianë. 

Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani ka përsëritur kërkesën e tij që Zuckerberg të paraqitet përpara asamblesë. Përmes një letre drejtuar themeluesit të Facebook, Tajani shkruan se kompania duhet të mos harrojë se ligjbërësit luajnë një rol kryesor në hartimin e rregullave të ashpra që qeverisin gjigandët e teknologjisë online.

Edhe komisionerja europiane e drejtësisë Vera Jourova deklaroi se Zuckerberg duhet të dëgjojë thirrjen e ligjvënësve.

“Ky është një rast shumë i rëndësishëm që nuk mund të trajtohet si zakonisht,”-u shpreh Jourova përpara një asambleje parlamentarësh. E njëjta kërkesë u përsërit edhe nga të tjerë deputetë europianë.

Facebook ende nuk i është përgjigjur këtyre thirrjeve. Kujtojmë se javën e kaluar, Mark Zuckerberg është përballur me dy seanca të njëpasnjëshme dëshmie, ku ai është marrë në pyetje nga rreth 100 ligjvënës amerikanë.

/Ora News.tv/