Derbi i Tiranës, Hebaj skuq kryeqytetin, Partizani "arratiset" në krye

Rubin Hebaj vesh me të kuqe kryeqytetin. Sulmuesi shkodran ishte autori i një përmbysje të paharrueshme ndaj Tiranës, duke shënuar një dopietë në fitoren 2-1 që Partizani arriti ndaj bardhebluve.

Në "Selman Stërmasi" u luajt një takim mjaft i luftuar me dy skuadrat që ishin futur në fushën e lojës me synimin e njëjtë, fitoren. Me pjesën e parë që dhuroi vetëm disa raste sporadike, fraksioni i dytë ishte i gjithi për tu shijuar. Vetëm 6 minuta nga rikthimi në fushë i skuadrave, Grent Halili zhbllokoi shifrat. Talenti 20 vjeçar mori një top korrombolesk shumë pranë zonës së vogël dhe me një gjysëm-parabël mposhti Hoxhën. Kaq u desh që "demat" të tërboheshin.

Skënder Gega nisi të lëviz kartat, duke hedhur në sulm dyshen shkodrane Hebaj-Çinari. Binom që funksionoi, me Çinarin që mjaftoi për të dhënë shkëndija, ndërsa Hebaj për të goditur kundërshtarët. Vetëm pak minuta pasi u gjend në fushë, Hebaj goditi në dy kohë sferën e krosuar nga e majta për të vendosur baraspeshën. Gol i cili shtoi sulmet e të kuqve dhe 20 minuta më pas, ishte sërish Hebaj që përmbysi gjithçka, duke vulosur rezultatin përfundimtar në 2-1.

Një triumf që thellon rekordin e "Demave" ndaj Tiranës, që ka 15 ndeshje pa humbje ndaj bardhebluve. Ndërkohë ky rezultat negativ godet edhe psikologjikisht bardheblutë, që qëndrojnë në vendin e 8-të me 11 pikë, duke rrezikuar shumë rënien një kategori më poshtë. Ndërsa me këtë fitore Partizani nis arratinë drejt titullit, pasi numëron 4 pikë më shumë se Skënderbeu i vendit të dytë, i cili ditën e nesërme pret Teutën.

Klikoni këtu për të parë FOTOGALERINE


"Live" te gjithë rastet dhe momentet pikante të ndeshjes   

86' Hebaj tund rrjetën, Partizani kalon ne avantazh



67' Hebaj tund rrjetën, Partizani barazon shifrat




51' Zhbllokohet derbi, Halili kalon në avantazh Tiranën




46' Nis pjesa e dytë


45' Mbyllet pjesa e parë:  Është mbyllur pjesa e parë e derbit të kryeqytetit, me Partizanin e Tiranën që nuk shkuan më shumë se një barazim 0-0. Në "Selman Stëmasi" iniciativa më e madhe ishte nga ana e bardhebluve, që pavarësisht tentativave nuk arritën të gjenin fundin e rrjetës. Megjithatë, rastet më të pastra për të shënuar i kishin të kuqtë, me Asanin e Bardhin që krijuan panik në portën e Abibi.

38 ‘– Ibrahimi ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Karabecit, karton i verdhë. Tension në fushë.

31′ – Karton i verdhë për Trashin. Partizani pretendon për penallti, por arbitri ka menduar se kemi të bëjmë me simulim.



20' - Ndërhyrje e gabuar e Dajës, arbitri e ndëshkon me të verdhë


7′ – Imami tenton nga distanca, Hoxha në gatishmëri kontrollon sferën.

1'- Nis derbi numër 150 në "Selman Stermasi"

Një derbi që respektohet maksimalisht nga dy teknikët, Skënder Gega i Partizanit dhe Ardian Mema i Tiranës, me numrat një të stolave që kanë menduar ta nisin me këto formacione.



EMISIONET