Superliga Evropiane, Ceferin e Agnelli marrin vendimin final

Superliga Evropiane, Ceferin e Agnelli marrin vendimin final

"Nuk do të ketë Superligë Evropiane."

Është ky vendimi i marrë nga kreu i UEFA-s, Alexsander Ceferin dhe kryetari i Shoqatës së Klubeve Evropiane (ECA), Andrea Agnelli, që në një intervistë të gjatë për "BBC Sport" kanë pohuar se do të hedhin poshtë sugjerimet e gjigandëve evropian për krijimin e një lige të tillë.

"Kjo nuk do të ndodhë. Super League nuk do të ketë. UEFA tashmë ka plane për të zgjeruar dhe përmirësuar garat e saj ekzistuese evropiane të klubeve dhe shpreson të shpallë në dhjetor një garë të tretë për të konkuruar së bashku me Ligën e Kampionëve dhe Europa League. Ne kemi disa ide. Ne mendojmë se futbolli evropian mund të shkojë më tej vetëm nëse qëndrojmë së bashku, të unifikuar. Nëse doni të zhvilloni futbollin ju duhet të qëndroni së bashku".-deklaroi Ceferin.

Në të njëjtin kah anoi dhe presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, i cili pohoi se gara në Superligën Evropiane do të zbehte skuadra të mëdha, si ato të Turqisë, Rusisë apo dhe Polonisë.

"Do të jetë detyra jonë për të mbrojtur trashëgimet e mëdha të futbollit evropian. Por nga ana tjetër mendoj se jemi shumë të vetëdijshëm se ne duhet të mbrojmë tregjet, duhet të mendojmë për tregjet e ardhshme. Ne duhet të mendojmë për Poloninë, duhet të mendojmë për Turqinë, duhet të mendojmë për Rusinë."-tha Agnelli.

Superliga Evropiane ishte një ide e hedhur nga shumë skuadra të mëdha në "Kontinentin e Vjetër", por duket se skenari ka përfunduar në vesh të shurdhër.

EMISIONET