Një pjesë shumë e madhe e mjekëve dhe infermierëve në Spanjë ka punuar pa masa mbrojtëse gjatë periudhës së shpërthimit të koronavirusit.

Ky është rezultati i një studimi të kryer nga Kolegji Spanjoll i Mjekësisë,(CGE).

Sipas asaj që shkruan CNN, në intervista e vëzhgime u morën 11 mijë mjekë në të gjithë vendin, ku 74 përqind e tyre pranojnë se nuk kanë pasur maska e veshje mbrojtëse në repartet e tyre.

"Punonjësit e shëndetësisë nuk kanë pasur pajisjet e mjaftueshme për tu mbrojtur gjatë kësaj kohe, kjo shpjegon dhe numrin e lartë të viktimave dhe të të infektuarve" - shprehet grupi i punës së këtij studimi në një konferencë për shtyp ditën e sotme.

Kolegji spanjoll beson se ka më të infektuar në rradhët e mjekëve se sa ajo që është raportuar, teksa ky studim tregon se dy e treta e mjekëve kanë raportuar për simptoma, por nuk janë testuar.

Madridi ishte vendi me numrin më të lartë të infermierëve që kanë raportuar simptoma të virusit.

Shumë mjekë janë shprehur se janë pajisur me mjete mbrojtëse të kualitetit të dobët, madje janë detyruar që t'i përdorin ato disa herë pasi i kishin përdorur për 14 orë një ditë më parë.

/Ora News.tv/