Portieri i kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha ka hedhur pas krahëve shqetësimet muskulare që e kanë penguar në muajt e fundit dhe ndihet gati për sezonin e ri.

Në një intervistë për sajtin e Lazios, portieri i Shqipërisë ka folur për aspiratat në edicionin 2019-2020, marrdhënien me Valon Berishën, ndërsa u ndal edhe tek dëmtimi.

Ishte e vështirë që të qëndroja 3 muaj jashtë fushave, por jam duke e marrë veten. Tani jam më mirë dhe pas dy miqësoresh ndihem në formë”, deklaroi Strakosha që beson se bardhekaltërit mund të jenë dinjitozë për trofe.

Serie A është bërë edhe më e fortë. Kanë ardhur lojtarë të nivelit të lartë. Po rikthehemi të jemi një nga kampionatet më të bukur në Europë. Ne në 3 sezonet e fundit kemi treguar se mund të fitojmë kundër të gjithëve, por edhe mund të humbasim kundër të gjithëve. Është çështje mentaliteti. Nëse ne nuk dorëzohemi dhe ruajmë përqendrimin, sigurisht që mund të arrijmë deri në fund të çdo kompeticioni. Në sezonin e fundit, fakti që dolëm të tetët në kampionat na ka bërë shumë mirë. Megjithatë, ia dolëm të fitonim Kupën e Italisë dhe të shkonim në Europë”, shtoi gardiani.

Pjesë e Lazios është edhe Valon Berisha, por ndryshe nga Strakosha ai nuk ka arritu të shfaq potencialin e tij:

“Është një djalë i shkëlqyer. U ndje keq që nuk mund të ndihmonte skuadrën në momente te caktuara. Është shumë i motivuar dhe dëshiron të tregojë se është i fortë. Bashkë kemi folur për sezonin që do të vijë dhe shpresojmë që të jemi protagonistë. Duam të fitojmë edhe ndonjë titull. Jeta është shumë e shkurtër për të mos ëndërruar. Në nivelin personal shpresoj të arrijmë mes 4 skuadrave kryesore dhe të fitojmë një trofe”, mbylli fjalën e tij Strakosha.

Gjatë kësaj merkato vere, për 24 vjeçarin kishte interes nga Tottenham Hotspur, por në fund gjërat mbeten ashtu siç ishin, duke bërë që Strakosha të jetë sërish pjesë e Lazios.

/Ora News.tv/