Spiropali: Ata futën reformën zgjedhore në kushtet e integrimit. Kërpaçi: Lexoji kriteret dhe thellohu!

Spiropali: Ata futën reformën zgjedhore në kushtet e integrimit.

Ministrja e Shtetit për Parlamentin Elisa Spiropali, nga salla e Kuvendit ka hedhur akuza të rënda kundrejt opozitës në lidhje me futjen e reformës zgjedhore në kushtet e integrimit.

Spiropali u shpreh se kjo ishte një hile, por për t’i vënë stërkëmbëshin Shqipërisë, pikërisht aty në pragun e çeljes së negociatave.

Elisa Spiropali: E para fare e punës ishte që ata e futën reformën në kushtet e integrimit. Kjo ishte një hile, jo për t’ia shtirë dorën Shqipërisë, por për t’i vënë stërkëmbëshin Shqipërisë, pikërisht aty në pragun e çeljes së negociatave. Të njëjtën gjë po bëjnë tani dhe sado që ne të dakordësohemi. Sado vullnet të kemi dhe sado të madh ta kemi durimin në raport me këtë opozitë ikanake, ajo nuk ka për t’u kthyer sepse po kërkon tani jo arsye për të fituar, sepse për të fituar nuk fiton dot, por alibi për humbjen. Dhe këtu qëndron problemi i mosgjetjes së dakordësisë me opozitën. Nuk ka rrugë për ta gjetur dakordësinë sepse mungesa e dakordësisë buron nga frika e tyre dhe jo nga pasioni për fitoren apo afrimin e zgjedhjeve.

Ndërsa, ish-deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi iu përgjigj përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se kushtet i ka bërë mazhoranca që dhunoi zgjedhjet.

Floida Kërpaçi: E dashur Elisa thellohu! Zgjedhjet e lira e të ndershme janë më të rëndësishmet ndër kriteret e Kopenhagenit mbi të cilat qëndrojnë themelet e Evropës së Bashkuar. Ndaj kushtet i bëtë ju që i dhunuat zgjedhjet dhe vazhdoni te mbroni çunat dhe policët problematikë! Lexoji kriteret e Kopenhagenit dhe thellohu!

EMISIONET