Ekskluzive/Meta: Palët mos vazhdojnë me pozitat e të fortit, të shmangin greminën

Ekskluzive/Meta: Palët mos vazhdojnë me pozitat e të fortit,

Presidenti Ilir Meta ka intesifikuar përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike që ka përfshirë vendin. Në intervistën ekskluzive dhënë për RTV Ora, ai e ka cilësuar situatën tejet të rëndë, ndaj i ka bërë thirrje palëve që të heqin dorë nga pozitat e të fortit.

Për të mundësuar dialogun, Presidenti shprehet se takimet do të vazhdojnë me aktorë të tjerë, politikë, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama.  

Meta e sheh me shqetësim edhe mungesën e Gjyaktës Kushtetuese që sipas tij problemet në gjyqësor nuk vijnë nga reforma në drejtësi, por nga mënyra e njëanshme jashtë dialogut politik.

Beti Njuma: Zoti President, së pari ju falënderoj për intervistën! Ju sot në mesditë zhvilluat një takim me partitë e Qendrës së Djathtë. Çfarë solli ky takim? Ju paralajmëruat rrezikimin e pluralizimit politik në Shqipëri. Një deklaratë e fortë nga ana juaj.

Presidenti Meta: Besoj se ky takim ishte një mesazh i qartë që duhen shtuar përpjekjet dhe kontributet nga të gjithë për të evituar rrëshqitjen e pakthyeshme drejt një krize të pakontrolluar, e cila padyshim që rrezikon jo vetëm pluralizimin politik, por edhe vetë bashkëjetesën politike të arritur me aq sakrifica për gati tre dekada. Jo vetëm duke pasur në konsideratë faktin që të gjitha partitë parlamentare opozitare të zgjedhjeve të fundit të vitit 2017, jo vetëm kanë vendosur në bllok si forca politike të largohen nga parlamenti, por kanë marrë vendim për t’u mos regjistruar në zgjedhjet e dekretuara tashmë prej kohësh të 30 qershorit.

Ka qenë një takim, me kërkesën e tyre, të forcave politike, dhe padyshim mendoj se takimet janë të rëndësishme dhe janë të domosdoshme. Dhe të gjithë duhet të reflektojnë për të mos vazhduar askush nga pozitat e të fortit dhe atje, në tehun e buzës së greminës.

Sikurse e kam thënë edhe më parë, pikërisht atje këmba mund edhe të rrëshqasë për të shkuar jashtë vullnetit, në një krizë të paparashikuar. E kam thënë me kohë dhe besoj se i sqarova edhe drejtuesit e këtyre partive mbi përpjekjet e mia të vazhdueshme, – të cilat kanë qenë edhe publike, por edhe jopublike, por shumë mirë të dokumentuara, – për të parandaluar një situatë të tillë, sepse edhe mungesa e dialogut padyshim që do të akumulojë një hendek që do të çojë në krizën dhe sigurisht këtu një problem mjaft serioz ka qenë e mbetet, duke parë përmasat e kësaj krize, mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Problemet janë të mëdha të sistemit gjyqësor, të cilat në bindjen time, nuk vijnë nga reforma në drejtësi, por nga mënyra e njëanshme, jashtë dialogut politik, e mungesës së respektit shpesh herë të parimeve kushtetuese dhe të afateve kushtetuese, për krijimin në kohë të institucioneve, të cilat do ta kishin evituar një situatë të tillë.

Më duhet të theksoj këtu për hir të së vërtetës, por edhe të problemit që është krijuar, që unë kam qenë kundër “vetting-ut” për Gjykatën Kushtetuese kur ka nisur procesi i reformës në drejtësi, dhe kjo ka qenë për arsye, sepse kam pasur shqetësimin që mund të kemi një situatë kur mund të kemi  një anëtar, që i ka mbaruar mandati, por qoftë edhe sikur dy-tre anëtarë të mungojnë s’është pak për një trupë kaq të kufizuar e me kaq përgjegjësi siç është Gjykata Kushtetuese. Edhe për arsye të tjera, sepse Gjykata Kushtetuese në Shqipëri dhe në tërësi ka qenë një institucion i respektuar dhe i pranuar nga të dyja palët. Pra, qoftë nga e majta kur ka qenë në opozitë apo qoftë edhe nga e djathta kur ka qenë në opozitë, dhe në tërësi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime në përputhje me interesin kombëtar apo me interesin publik. Megjithatë kam marrë të gjitha garancitë që kjo gjë nuk do të ndodhte, dhe unë e di shumë mirë që qoftë në pozitën time si kryetar i Kuvendit kur jam kujdesur që çdo gjë të shkonte perfekt në shortin e hedhur në dhjetor të vitit 2016, por edhe si President i Republikës në përpjekjen time për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare dhe për të shmangur çdo situatë “ekstra ligjore” për krijimin e KED-së. I kam bërë të gjitha përpjekjet e mia dhe për fat të keq kemi humbur më shumë se dy vjet dhe për këtë se fajësoj dot opozitën.

Beti Njuma: Te mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë ju e shihni edhe zanafillën e kësaj krize.

Presidenti Meta: Në rast se ne do të kishim sot, më falni, në qoftë se ne do të kishim sot një Gjykatë Kushtetuese funksionale e të besueshme, unë do të mbaja fjalimet më të zjarrta kundër sabotimit që po i bën opozita në Shqipëri kundër integrimit europian apo ku e di unë se çfarë po bën tjetër. Por duhet të them se opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për faktin se Shqipëria sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Nuk dua të them se cilët janë përgjegjësit. Presidenti ka bërë të gjitha përpjekjet, të cilat janë të mirëdokumentuara, që gjithçka të bëhet në respekt të Kushtetutës që është votuar me konsensus për të parandaluar një situatë të tillë dhe nuk mund të them se opozita ka ndonjë përgjegjësi për të gjitha problemet e zbatimit të reformës në drejtësi deri tani.

Beti Njuma: Deri kur mund të përshkallëzohet situata?

Presidenti Meta: Nuk e di se çfarë presim më shumë në rast se bëjmë sikur nuk e shohim që sistemi i rregullave të lojës demokratike ku në radhë të parë, kemi edhe garancitë kushtetuese të vetë kësaj bashkëjetese demokratike është tronditur rëndë, dhe në rast se vazhdojmë të mos e shohim përpara humnerën drejt së cilës ecim, atëherë nuk bëjmë gjë tjetër veçse gënjejmë veten dhe përsërisim gabime tepër të rënda që i kushtojnë vendit më shumë se kujdo tjetër.

Beti Njuma: Tryeza e sotme ishte në kuadër të përpjekjeve që po bën Presidenti i Republikës për të sjellë apo për të kthyer normalitetin?

Presidenti Meta: Nuk është tryezë. Ky ishte një takim. Unë kam pasur edhe takime të tjera, që nuk i kam mediatizuar...

Beti Njuma: Me kryeministrin, keni biseduar?

Presidenti Meta: Më falni! Nuk shikoj arsye për t’i mediatizuar, sepse nuk dëshiroj pritshmëri të mëdha nga angazhimi i Presidentit, për shkak edhe të mungesës së instrumenteve kushtetues të Presidentit për të parandaluar apo të dekurajuar një situatë të tillë, jo vetëm përmes mesazheve apo veprimeve të tij. Unë padyshim që do të takohem me të gjithë, jo vetëm me kryeministrin, por edhe me përfaqësues të tjerë politikë, por edhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Edhe me shumë njerëz të tjerë të përgjegjshëm, të cilët kanë përgjegjësi për vendin, sepse kjo nuk mund të kthehet në një lojë “të fortësh” dhe më pas askush të mos mbajë përgjegjësi për pasojat që mund të vijnë.

Shpresoj që të gjithë të reflektojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse e gjithë kjo krizë konsumon jo vetëm energji për vendin, por nuk është e mirë as për atë vlerësim që Shqipëria ka pasur apo për ato pritshmëri që janë për rolin që duhet të luajë për stabilitetin në rajonin tonë.

Beti Njuma: Zoti President, pa e paragjykuar nëse do të sjellë rezultat apo jo kjo nismë e juaja për tryezën me partitë politike, a mund të ndërmarrë kreu i shtetit ndonjë iniciativë tjetër? Le të themi një dekret për ta shpërndarë parlamentin në rast se nuk do të gjendet një zgjidhje? Deri ku mund të shkojë iniciativa juaj për ta zgjidhur këtë krizë?

Presidenti Meta: Unë dua t’ju siguroj ju, dua t’i siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se Presidenti është përpjekur të bëjë gjithçka për të parandaluar një situatë të tillë. Sidomos situatën në të cilën ndodhet vendi pa Gjykatë Kushtetuese.

Lexoni pjesën tjetër të intervistës së presidentit Meta: Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për mungesën e Gjykatës Kushtetuese


EMISIONET