Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama kanë lënë pas çështjet e hapura mes tyre dhe gjatë takimi të Këshillit të Integrimit janë përshëndetur miqësisht, ndonëse me brryla në respektim të masave anti-Covid. Presidenti Meta në fjalën e tij ndërsa përshëndeti marrëveshjen për reformën zgjedhore, kërkoi që ajo të miratohet sa më parë. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama, duke vlerësuar konsensusin e arritur, shprehu keqardhje që për të u desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve, duke theksuar se kjo gjë nuk do të përsëritet më.        

Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, për hir të integrimit, i lanë mënjanë çështjet e hapura mes tyre për t’u përshëndetur miqësisht. Masat ndaj Covid evituan një shtrëngim duarsh, por nuk shmangen dot një takim me bërrylla mes 3 krerëve të shtetit.

Në tryezën e Këshillit Kombëtar të Integrimit, përballë Metës, Ruçit dhe ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, Edi Rama i prerë u shpreh se marrëveshja politike e 5 qershorit për reformën zgjedhore duhet të jetë rasti i fundit kur politika merret vesh vetëm nëpër seli të huaja diplomatike.

Edi Rama: Nuk është sekret që me presidentin kemi çështje të hapura por patjetër që mund të takoheshim tek Presidenti i Republikës, krymyftiu i Tiranës, baba Mondi, mund të shkojmë dhe tek protestantët të gjenim një fushë nga pikëpamja fetare.

Ndërsa Presidenti kërkoj që Ligji i ri Zgjedhor të miratohet sa më shpejt në Parlament, por duke nënvizuar faktin se duhet bërë kujdes në zbatimin e tij.

Ilir Meta: ''Inkurajoj që kjo dakordësi të vijojë për të gjitha ndryshimet e nevojshme për reformës zgjedhore dhe të finalizohet me miratimin e shpejtë në parlament. 

Presidenti nenvizoi edhe zbatimin e kushteve dhe vullnetin politik per te parandaluar krizat e njepasnjeshme.

Ilir Meta: "Zbatimi i vërtetë i kushteve të cilat kanë ardhur në rritje dhe i detyrimeve të marrëveshjes së stabilizim asociomit duhen marrë më seriozisht. Vetëm një proces i besueshëm ku vullneti politik vihet në shërbim të interesave madhore do të mund të parandalojnë krizat e njëpasnjëshme toksike që fatkeqësisht kanë minuar besimin e qytetarëve dhe dëmtuar imazhet e vendit".



(Foto: LSA, Malton Dibra)

Zgjedhjet me 9 maj?   Një ditë më parë PS i propozoi Metës të dekretojë datën 9 maji për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Por për kreun e shtetit nëse kjo gjë do të ishte vetëm në dorën e tij zgjedhjet duhet të bëheshin sot.

Ilir Meta: ''Po të ishte për datën e zgjedhjeve, ju e dini që data do ishte dje për mua, në kuptimin e rëndësisë dhe legjitimitetit të plotë të institucioneve në vend. Por mbetet ende shumë punë përpara për të treguar përgjegjshmëri me këtë proces që po monitorohet në mënyrë mjaft ngushtë nga të gjitha vendet anëtare.''

Ndërsa kreu i Kuvendit gamoz Ruçi u ndal te reforma në drejtësi, duke theksuar se Kuvendi nuk do lejojë që ajo të preket.

KE ende nuk i ka prezantuar Këshillit të BE kornizen për negociatat për Shqipërinë, ndërsa vendi ynë duhet të plotësojë 15 kushtet e vendosura nga unioni. 

Miratimi dhe zbatimi i reformës elektorale, funksionimi i Kushtetuese, Gjykata e Lartë, ulja e numrit të azilkërkuesve, çuarja përpara drejtësisë të funksionarëve të lartë, vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit të 2019, janë disa nga çështjet kryesore që Shqipërinë e mbajën peng për të shkuar drejt Konferencës së parë ndërqeveritare.



Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit u mbajt paraditen e 9 qershorit 2020 në Pallatin e Kongreseve.


Përparësi për t’u përmbushur deri në Konferencën e Parë Ndërqeveritare



(Foto: LSA, Malton Dibra) 

Cfarë është Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE) është krijuar me Ligjin Nr. 15/2015, datë 05/03/2015, “Për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Europian të Republikës së Shqipërisë ne BE” , si struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian që ngrihet pranë Kuvendit, me qëllim nxitjen dhe garantimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publikë dhe shoqërisë civile, si dhe rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.

Detyrat kryesore të tij përfshijnë:

Nxitja e bashkëpunimit midis forcave politike, institucioneve shtetërore dhe të pavarura dhe shoqërisë civile, në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian;

Sigurimi i diskutimit të vazhdueshëm për politikat e integrimit europian, të zbatuara nga institucionet shtetërore, me shoqërinë civile dhe me aktorë të tjerë të interesuar;

Monitorimi i zbatimit të detyrimeve për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian;

Analizimi i kuadrit ekzistues normativ dhe praktikave, në lidhje me procesin e integrimit europian, për çështjet që merr në shqyrtim;

Sigurimi i bashkëpunimit të vazhdueshëm për procesin e integrimit me komisionet e përhershme parlamentare dhe me strukturat e tjera përgjegjëse për integrimin europian;

Monitorimi i ecurisë së procesit të negociatave/bisedimeve për anëtarësim.

/Ora News.tv/