Mark Zuckerberg ka rënë dakord që takimi i tij me politikanët europianë të transmetohet internet. Të mërkurën, shefi i Facebook do të përballet me krerët e grupeve parlamentare të Parlamentit Europian, lidhur me skandalin e keqpërdorimit të të dhënave në platformën e famshme sociale.

Publiku do të mund të shohë përgjigjen e Mark Zuckerberg për udhëheqësit e Parlamentit Europian sa i përket shqetësimeve për privatësinë. Presidenti i kësaj trupe Antonio Tajani, ka deklaruar se takimi 75-minutësh që do të mbahet nesër, do të transmetohet drejtpërdrejt përmes internetit, një propozim i bërë nga parlamenti dhe i pranuar nga Zuckerberg.

Lajmi se takimi mes shefit të Facebook dhe krerëve të grupeve parlamentare do të ishte privat, ishte kritikuar ashpër. Marrëveshja madje u krahasua në mënyrë jo të favorshme edhe me dëshminë e Zuckerberg për Kongresin amerikan në Uashington. Kështu, deputetët nisën një peticion online të nënshkruar nga 30.000 persona, që takimi me Zuckerberg të bëhej në transparencë, ashtu siç shefi i Facebook ka premtuar.

Megjithatë, të tjerë politikanë kanë mbetur jo të lumtur edhe me këtë zgjidhje, pasi takimi nuk do të jetë i hapur për shumë deputetë. Facebook ka refuzuar në mënyrë të përsëritur që deputetët britanikë të lejohen të marrin në pyetje zotin Zuckerberg për skandalin e Cambridge Analytica, në të cilin miliona të dhëna personale të përdoruesve u korrën për qëllime politike, në kundërshti me rregullat e rrjetit social.

/Ora News.tv/