Të paktën 87 milionë përdorues të Facebook në mbarë botën do të zbulojnë të hënën nëse të dhënat e tyre personale janë marrë nga Cambridge Analytica, e konsideruar si një nga shkeljet më të mëdha të rrjetit social.

Kompania gjigande tha se përdoruesit e prekur do të marrin një mesazh të detajuar mbi të dhënat e tyre.

Shumica e informacioneve që u përdorën nga firma e të dhënave analitike, rreth 70 milionë, janë të përdoruesve të Facebook në SHBA.

2.2 miliardë përdoruesit e Facebook do të marrin një njoftim me titull 'Mbrojtja e të dhënave tuaja"me një link që tregon se cilat aplikacione përdorin dhe çfarë informacioni është ndarë me këto aplikacione.

Përdoruesit e rrjetit social do të jenë në gjendje të mbyllin aplikacionin individualisht ose të çaktivizojnë aksesin e palëve të treta.

Ky hap i Mark Zuckerberg vjen pasi Observer zbuloi se Cambridge Analytica, që ka punuar për fushatën zgjedhore të Donald Trump, ka arritur që të prekë miliona profile të qytetarëve amerikanë dhe ka përdorur të dhënat e tyre për të ndërtuar një program software për të parashikuar dhe ndikuar mbi votuesit.

Facebook zbuloi se informacioni ishte marrë në fund të vitit 2015, por nuk arriti të lajmërojë përdoruesit në atë kohë.

Informacioni u grumbullua nëpërmjet një aplikacioni të quajtur 'thisisyourdigitallife', e ndërtuar nga akademiku i Universitetit të Kembrixhit, Aleksandr Kogan në bashkëpunim me Cambridge Analytica.

/Ora News.tv/